Sapo realizoi ëndrrën e Botërorit me Kombëtaren, vdes mesfushori në moshën 25-vjeçare

Bota e futbollit është zhytur në zi pas ndarjes nga jeta të futbollistit 25-vjeçar Jayden Adams, një prej lojtarëve të përfaqësueses së Afrikës së Jugut që mori pjesë në Kupën e Botës.

Lajmi i hidhur u konfirmua nga autoritetet dhe familjarët e futbollistit.

Policia në Afrikën e Jugut bëri të ditur se ka nisur hetimet pasi trupi i një 25-vjeçari u gjet në një banesë në Schotschekloof, një lagje në qendër të Kejp Taunit.

Shkaku i vdekjes nuk është konfirmuar ende.

Adams ishte një nga talentet më të spikatura të futbollit në Afrikën e Jugut dhe aktivizohej me skuadrën e Mamelodi Sundowns, ku kishte spikatur me paraqitjet e tij.

Në Botërorin e fundit, ai u aktivizua në tre ndeshje, duke realizuar ëndrrën më të madhe të karrierës së tij: të përfaqësonte vendin në skenën më prestigjioze të futbollit botëror.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta në botën e sportit, ndërsa tifozë, bashkëlojtarë dhe klube kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e parakohshme të 25-vjeçarit.

Vdekja e Jayden Adams lë një boshllëk të madh në futbollin e Afrikës së Jugut dhe i jep fund në mënyrë tragjike një karriere që premtonte shumë.

 

The post Sapo realizoi ëndrrën e Botërorit me Kombëtaren, vdes mesfushori në moshën 25-vjeçare appeared first on GIJOTINA.