Kandidati i Trump për ambasador konfirmon prioritetet e reja të SHBA ndaj Shqipërisë

Për këdo që nuk ishte bindur se qasja amerikane kundrejt Shqipërisë ka ndryshuar dhe se ajo është tani më praktike se formale, fjala hapëse e të nominuarit për ambasador amerikan në Shqipëri, Eric Uendt, shuan çdo dyshim.

Kandidati i Presidentit Donald Trump për postin e ambasadorit të SHBA në Tiranë dha që në fjalën e parë një mesazh të drejtpërdrejtë për atë që Uashingtoni e sheh si përparësi në Shqipëri: luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. 

“Do të eksplorojmë mënyra për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës që lidhet me kartelet latine, për të ndihmuar që Shqipëria dhe SHBA të jenë më të sigurta”, deklaroi ai.

Kandidati për ambasador u ndal veçanërisht te bashkëpunimi me ushtrinë shqiptare gjatë misioneve të NATO-s dhe në Afganistan, duke vlerësuar trupat shqiptare dhe duke treguar se njeh, të pakën, heroin tonë kombëtar.

“Gjatë drejtimit të forcave të NATO-s, trupat shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me ta në terren. Në Afganistan kam shërbyer me trupa shqiptarë. Trupat shqiptare kanë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeut dhe njerëzit shqiptarë janë mikpritës dhe punëtorë”, u shpreh Uendt.

Ish-ushtaraku shprehu falenderime për nominimin nga Presidenti Trump për këtë pozicion, teksa kujtoi se ka shërbyer edhe në njësinë legjendare elitare të forcave speciale amerikane, Green Beret. 

“Jam i nderuar nga besimi i Presidentit Trump për këtë pozicion. Për më shumë se 34 vite kam shërbyer SHBA-ve si ushtar. Kam kaluar vite në këmbësori dhe si ‘Beretë e Gjelbër’”, deklaroi ai.

Ai bëri me dije se ka shërbyer edhe si pjesë e ambasadës amerikane në Jerusalem, duke raportuar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Që prej ardhjes së administratës Trump vitin e kaluar, mesazhet që kanë ardhur nga përfaqësia amerikane në Tiranë kanë qenë dukshëm më të drejtpërdrejta dhe më të fokusuara te siguria, korrupsioni dhe trafiku i drogës. Edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve mbetet një prioritet i marrëdhënies mes dy vendeve.

Në këtë kuptim, deklarata e Eric Uendt nuk vjen si një dalje e izoluar, por si vazhdimësi e një linje tashmë të qartë të administratës amerikane ndaj Shqipërisë. Pra, nëse më parë komentet nga ambasada vinin për çdo lloj aktualiteti politik në Shqipëri, tani sinjali që vjen nga Uashingtoni është më i prerë. Partneriteti me Shqipërinë do të matet gjithnjë e më shumë me rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. ©LAPSI.AL 

The post Kandidati i Trump për ambasador konfirmon prioritetet e reja të SHBA ndaj Shqipërisë appeared first on Lapsi.al.