Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kritikuar në Kuvend kryetarin e Parlamentit, Niko Peleshi, dhe mazhorancën, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në drejtimin e seancave parlamentare.
Korreshi ironizoi Peleshin, duke e pyetur nëse dëgjonte nga veshi i majtë, pasi sipas tij, ai nuk kishte reaguar ndaj fjalorit fyes që pretendon se ka përdorur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat kundërshtoi edhe projektligjin për tubimet, duke paralajmëruar se sipas tij, ndryshimet e propozuara rrezikojnë liritë themelore të qytetarëve dhe mund të rikthejnë praktika të diktaturës. Ai akuzoi mazhorancën se po përpiqet të legjitimojë përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke përmendur shkopinjtë e gomës, gazin lotsjellës dhe armët e drejtuara ndaj tyre.
“Do të bëj një pyetje të sinqertë. Dëgjoni nga veshi i majtë? Nga ana e majtë dëgjoni? Ta them këtë sepse, nëse do të lejojmë sharjet dhe fyerjet këtu, do të kthehemi te berberhanet dhe briskut. U bë disa herë që shahet dhe fyhet nga ana e majtë. Nuk ju ka hije të shajë kreu i grupit të PS-së dhe ju bëni sikur nuk dëgjoni.
E kemi edhe ne briskun me vete. Tha të na hash atë që s’thuhet partisë sonë. Çfarë t’i hash partisë suaj…
Mbi projektligjin për tubimet, nuk mund të lejoni që, me atë akt çnjerëzor, të kthehet diktatura. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës, dajakun e dhënë nga mëngjesi në darkë ndaj protestuesve, gazin lotsjellës që nuk i dihet origjina dhe skadenca, si dhe pushkët që u keni drejtuar protestuesve.
Akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut”, tha Korreshi.
The post “O Pelesh, dëgjon nga veshi i majtë?”, Korreshi në Kuvend: Po riktheni diktaturën me ligjin për tubimet! appeared first on GIJOTINA.