“U terrorizuat pas deklaratës së Eric Wendt”, Shehaj-socialistëve: Ju erdhi fundi! Të shtunën gjithë Shqipëria do të ngrihet kundër jush

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar se ministri i Brendshëm duhet të ishte i pranishëm për të dhënë shpjegime lidhur me rastin, ku sipas tij, dy persona kanë dhunuar një qytetar brenda ambienteve të komisariatit dhe më pas kanë ushtruar presion ndaj tij që të tërhiqej nga denoncimi.

“Duhet të ishte këtu ministri i Brendshëm, por ai zhduket dhe flet. Do ta pyesja në lidhje me skandalin e dhunimit në Komisariatin nr. 1 nga dy banditë, të cilët pasi e dhunuan në komisariat, patën guximin t’u dërgonin vartësin e tyre për t’u tërhequr nga denoncimi. Ministri është i fortë me policinë, por zhduket kur duhet të japë përgjigje”, deklaroi Shehaj.

Më tej, kreu i Mundësisë komentoi edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, duke pretenduar se ato kanë shkaktuar panik te mazhoranca. Ai iu referua paralajmërimit për gjurmët që mund të jenë ruajtur në serverat amerikanë, duke ngritur akuza për përpjekje për fshirjen e komunikimeve elektronike.

“Dukeni të fortë e të plotfuqishëm, por e dini mirë se ju ka ardhur fundi. U terrorizuat dhe bëtë panik kur foli dje ambasadori amerikan. Gjëja që ju bëri të dridheni ishte kur ju tha se keni lënë gjurmë në serverat amerikanë. Janë aty gjurmët e vjedhjeve tuaja. Keni kaluar ditën dje duke fshirë email-e dhe SMS, por nuk keni nga t’ia mbani”, u shpreh ai.

Në fund, Shehaj paralajmëroi pjesëmarrje të gjerë në protestën e së shtunës, duke akuzuar qeverinë se po shton praninë e policisë në Tiranë dhe po përgatit masa për të kufizuar protestuesit.

“Keni mbushur gjysmën e Tiranës me polici, tani keni sjellë në Kuvend edhe masat se si të ndaloni protestuesit, por nuk i ndaloni dot. Të shtunën e gjithë Shqipëria do të ngrihet kundër jush, sepse ju ka ardhur fundi”, përfundoi Shehaj.

 

The post “U terrorizuat pas deklaratës së Eric Wendt”, Shehaj-socialistëve: Ju erdhi fundi! Të shtunën gjithë Shqipëria do të ngrihet kundër jush appeared first on GIJOTINA.