Atentati në Fier/ Humb jetën në spital nipi i Selami Hasanit, Jakup Hasani mori 3 plumba në trup

Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit të ndodhur mëngjesin e së hënës në lagjen “1 Maji” në Fier ka ndërruar jetë në spital.

Hasani kishte marrë tre plumba në trup, por pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 09:40, pranë banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i Matit”. Ky i fundit u ekzekutua me armë zjarri teksa ndodhej duke punuar në oborrin e banesës së tij. Autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 60-vjeçarit dhe nipit të tij, duke u larguar më pas me automjet nga vendi i ngjarjes.

Pas atentatit, policia konstatoi një automjet në flakë në fshatin Ndërmenas, i dyshuar si një prej mjeteve të përdorura nga autorët dhe brenca tij u gjetën dy armë zjarri. Pak më vonë, një tjetër automjet tip “Volvo” u gjet i shkrumbuar pranë rrethrrotullimit të Pojanit. Këto makina dyshohet se janë përdorur për realizimin e atentatit dhe më pas janë djegur për të zhdukur gjurmët.

Si ndodhi atentati dje në Fier?

Selami Hasani, hasmi i Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja, u ekzekutua dje në oborrin banesës së tij në Fier. As një vilë e fortifikuar me mure të larta dhe kamera sigurie nuk e mbrojti. I njohur si “Sel Çami” ose “Seli i Malit”, 60-vjeçari ishte një emër me precedentë të mëparshëm kriminal dhe prej 3 dekadash në hasmëri me Ben Qimen, një për personazheve kriminale më me influencë në zonën e Fierit, të cilit rezulton t’i ketë vrarë nipin.

Atentati mafioz ndodhi rreth orës 09:40 të paradites, kur “Sel Çami” u qëllua me armë zjarri në lagjen “1 Maji”. Sipas policisë, Selami Hasani po punonte në pjesën e jashtme të oborrit kur dy persona të maskuar, zbritën nga makina dhe qëlluan me breshëri armësh në drejtim të tij.

Në atentat mbeti i plagosur edhe nipi i tij, Jakup Hasani 47 vjeç, i cili iu nënshtrua operacionit në spitalin e Fierit, por që nuk mundi ti mbijetonte.

“Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, e cila po punonte aty. Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit”, tha nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alkët Ahmetaj.

Pas të shtënave, autorët dyshohet se u larguan në drejtim të Vlorës. Në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë disa persona. Një makinë e vjedhur, Volvo e bardhë i priste qitësit në rrugë, e cila pak minuta më pas u gjet në flakë tek rrethrrotullimi i Pojanit, në autostradën Fier–Vlorë. Brenda makinës u gjetën edhe 2 armë zjarri, njëra prej të cilave me silenciator.

Policia ngriti disa postoblloqe, përfshirë në Vlorë, për kapjen e autorëve. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e atentatit. Nga kqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, pranë banesës së ‘Sel Çamit’ dallohen dy persona, të maskuar me kapuça të zinj në kokë dhe rroba të zeza.

Një nga pistat që po hetohet është hakmarrja, për shkak të hasmërisë së vjetër të Hasanit me Arben Isufajn, të cilit i janë ushtruar kontrolle edhe në banesë. Gjithashtu burime për Report Tv bëjnë me dije se në Polici janë shoqëruar djali i Arben Isufajt (Ben Qimes) dhe dy persona të tjerë të afërt me të.

Selami Hasani ishte dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Ben Qimes. Në të njëjtën ngjarje u vra edhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit. Hasani kishte dalë nga burgu prej vitit 2022.

The post Atentati në Fier/ Humb jetën në spital nipi i Selami Hasanit, Jakup Hasani mori 3 plumba në trup appeared first on GIJOTINA.