Pas marshimit në Tiranë, protestuesit grumbullohen para Kryeministrisë

Protesta e studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë ka vijuar me marshimin në rrugët e Tiranës. Pas disa orësh tubim dhe lëvizje në kryeqytet, protestuesit janë pozicionuar para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tubimi nisi rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit, ku studentë, qytetarë dhe aktivistë kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama. Për afro dy orë, turma qëndroi përballë institucionit, ndërsa policia vendosi një kordon efektivësh për të shmangur bllokimin e qarkullimit.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër kryeministrit dhe policisë. Një fotografi e Edi Ramës, e vendosur në kangjellat e ministrisë, u dogj, ndërsa protestuesit brohoritën “Arrestoni Ramën”, “Polici e krimit” dhe “Poshtë diktatura”.

Protestuesit shpalosën edhe një banderolë me mbishkrimin “Ndal plaçkitjes, shtypjes dhe ikjes!”. Një pjesë e thirrjeve iu kushtuan protestës së paralajmëruar për 28 Nëntorin, ku të rinjtë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.

Pas tubimit para Ministrisë së Arsimit, turma u nis në marshim nëpër rrugët e kryeqytetit, drejt zonave qendrore. Gjatë lëvizjes pati edhe episode tensioni: në rrugën “Myslym Shyri”, disa të rinj u vunë flakën koshave të mbeturinave.

Në përfundim të marshimit, protestuesit mbërritën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u grumbulluan para godinës së Kryeministrisë. Tubimi vijon me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës.

The post Pas marshimit në Tiranë, protestuesit grumbullohen para Kryeministrisë appeared first on GIJOTINA.