Ujërat e ndotura me hidrokarbure nga Uzina e Përpunimit të Naftës në Fier përfundonin në lumin Gjanica pa kaluar në procesin e trajtimit. Analizat laboratorike konstatuan tejkalim të normave të lejuara, ndërsa Prokuroria akuzon drejtuesin teknik dhe kompaninë për ndotje të mjedisit.
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica nga shkarkimet e Uzinës së Përpunimit të Naftës në Drizë dhe ka dërguar për gjykim drejtuesin teknik R.Sh. dhe shoqërinë “A” SHA, në cilësinë e personit juridik.
Hetimet kanë konstatuar se uzina shkarkonte ujërat teknologjike të ndotura me hidrokarbure në një përrua që derdhet në lumin Gjanica, pa kryer më parë trajtimin që përcakton leja mjedisore.
Analizat laboratorike kanë evidentuar një përqendrim prej 13.8 miligramësh për litër të produkteve të naftës në ujërat e shkarkuara, ndërkohë që kufiri i lejuar është 10 miligramë për litër.
Ekspertët e kanë klasifikuar gjendjen e ujërave në Klasën V, që përfaqëson nivelin e keq të cilësisë së ujit.
Sipas Prokurorisë, drejtuesi teknik R.Sh. kishte dijeni për pikën e shkarkimit dhe mundësinë për të ndërhyrë, por nuk mori masa për ta mbyllur atë ose për të garantuar trajtimin e ujërave të ndotura.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se kompania ka përfituar ekonomikisht nga mosrespektimi i detyrimeve mjedisore, duke shmangur shpenzimet për trajtimin dhe transportimin e ujërave teknologjike.
Për drejtuesin teknik dhe shoqërinë, Prokuroria ka ngritur akuzën për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, sipas nenit 201 të Kodit Penal.
Në dosjen që organi i akuzës ka dërguar në gjykatë përfshihen aktet e inspektimit mjedisor, rezultatet e analizave laboratorike, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe ekspertimi teknik-mjedisor.
Gjykata do të shqyrtojë provat dhe përgjegjësinë penale të drejtuesit teknik dhe kompanisë për shkarkimet e ujërave të ndotura në lumin Gjanica.
The post Ndotja e lumit Gjanica, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq kompaninë e naftës appeared first on GIJOTINA.