Thellohet skandali te Posta e Durrësit, gropa financiare arrin në 3.6 miliardë lekë

Një gropë financiare prej rreth 3.6 miliardë lekësh të vjetra ka dalë nga auditi i dytë në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, duke nxjerrë në pah përmasa shumë më të mëdha të skandalit që nisi me zhdukjen e parave të pensionistëve. Çështja tashmë ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, pas dyshimeve se pas kësaj skeme qëndron një grup i strukturuar kriminal.

SPAK ka regjistruar procedimin penal pasi Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën lëndore dhe ia kaloi dosjen strukturës së posaçme.

Në veprimet hetimore pritet të përfshihet edhe deputetja e Partisë Socialiste, Etleva Budini, e cila disa vite më parë ka drejtuar filialin e Postës Shqiptare në Durrës. Deri tani nuk ka të dhëna për ndonjë akuzë ndaj saj.

Çështja nisi pas një kontrolli të brendshëm të Postës Shqiptare, i cili evidentoi se gjatë muajve prill dhe maj 2026, në sistem ishin regjistruar transferta financiare prej 69 milionë lekësh të rinj, ose 690 milionë lekësh të vjetra, drejt degëve të Shijakut dhe Krujës. Por paratë nuk kishin mbërritur në destinacion.

Sipas dosjes hetimore, këto veprime lidhen me 11 mandat-pagesa, për të cilat Prokuroria e Durrësit nisi verifikimet.

Auditi i dytë financiar evidentoi se mungesa në arkën e filialit arrinte në rreth 3.6 miliardë lekë të vjetra. Nga kontrollet dolën dyshime se parregullsitë nuk përfshinin vetëm fondet e pensionistëve, por edhe paratë që qytetarët kishin paguar për aplikimet dhe shërbimet hipotekore.

Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes janë pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë fiksuar lëvizjen e parave nga arka drejt zyrave të drejtuesve të filialit. Hetimet duhet të përcaktojnë kush i ka marrë këto fonde, për çfarë qëllimi janë lëvizur dhe ku kanë përfunduar.

Në kuadër të hetimeve të mëparshme, autoritetet arrestuan ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefen e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtaren Paola Dana. Më pas, gjykata zbuti masat e sigurisë ndaj të tria të dyshuarave.

Por shifra prej 3.6 miliardë lekësh ngre një problem tjetër, që lidhet me administrimin dhe kontrollin financiar të një institucioni shtetëror. Si është krijuar një mungesë e tillë pa u evidentuar nga mekanizmat e kontrollit? Kush ka firmosur bilancet dhe kush ka pasur përgjegjësinë për verifikimin e fondeve?

Kalimi i dosjes në SPAK lidhet me të dhënat që Prokuroria e Durrësit ka administruar për veprimtarinë e dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal. Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar periudha gjatë së cilës është krijuar mungesa financiare dhe roli i secilit prej personave të përfshirë në hetim.

 

The post Thellohet skandali te Posta e Durrësit, gropa financiare arrin në 3.6 miliardë lekë appeared first on GIJOTINA.