“Keni bërë buxhetin e hajdutërisë!”, Rama përplaset me Berishën në Kuvend: Sali po të bien pantallonat, ik tani

Një batutë e kryeministrit Edi Rama nga vendi ka shoqëruar përplasjen me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend.

Në përfundim të fjalës së kryedemokratit, i cili po lëshonte akuza ndaj qeverisë dhe mazhorancës për korrupsionin, zgjedhjet dhe menaxhimin e buxhetit, Rama dëgjohet t’i drejtohet nga vendi me fjalët “Sali, po të bien pantallonat, ik tani”.

Ndërhyrja e kryeministrit erdhi në një moment kur Berisha po akuzonte mazhorancën se nuk ka legjitimitet për të miratuar buxhetin, pasi, sipas tij, ka ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve të manipuluara dhe ka mbrojtur korrupsionin.

“Banda e Lalzit, çdo gjë mund t’u dukeni shqiptarëve, vetëm zyrtarë nuk iu dukeni më. Nuk keni asnjë të drejtë të merreni me buxhet ju, nuk keni legjitimitet, keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsionin”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës vijoi sulmet ndaj qeverisë Rama, duke e akuzuar për abuzime me fondet publike dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike të qytetarëve.

“Çfarë buxheti do të miratoni ju, 10 miliardë vjedhje. A e dini se Eurostati deklaroi se të ardhurat janë rritur dhe varfëria është shtuar? Shqiptarët blejnë me çmime që janë 110% të çmimeve europiane”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin për lidhje me kartelet dhe pretendoi se politika ekonomike e qeverisë po rëndon gjithnjë e më shumë qytetarët.

Në fund, Berisha paralajmëroi largimin e mazhorancës nga pushteti, duke deklaruar se “Po jeni ju ata që do të përziheni, do të shkoni aty ku keni vendin”.

Përplasja verbale mes Ramës dhe Berishës u zhvillua gjatë diskutimeve për buxhetin në seancën plenare.

The post “Keni bërë buxhetin e hajdutërisë!”, Rama përplaset me Berishën në Kuvend: Sali po të bien pantallonat, ik tani appeared first on GIJOTINA.