Ekzekutohet gazetari në Kosta Rikë, kishte denoncuar lidhjet e politikanëve me kartelet e drogës

Një gazetar 50-vjeçar është vrarë me armë zjarri në Kosta Rika, pasi prej kohësh publikonte denoncime për lidhjet e dyshuara mes politikanëve dhe organizatave të trafikut të drogës.

Camilo Rodríguez u ekzekutua të hënën, më 16 nëntor, në qytetin Heredia, pranë kryeqytetit San Jose.

Sipas autoriteteve, dy persona të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me një motoçikletë, iu afruan automjetit të gazetarit dhe hapën zjarr ndaj tij. Rodríguez u qëllua nëntë ose dhjetë herë, duke mbetur i vdekur në vendngjarje.

Shefi i policisë, Raul Rivera, konfirmoi se autorët iu afruan makinës së viktimës, ndërsa zëvendësdrejtori i Shërbimit të Hetimit Gjyqësor, Vladimir Muñoz, bëri të ditur numrin e plumbave që e goditën.

Prokurori i Përgjithshëm, Carlo Diaz, konfirmoi nisjen e hetimeve për zbardhjen e vrasjes, por deri më tani nuk ka të dhëna për identitetin e autorëve apo motivet e tyre.

Camilo Rodríguez ishte bërë i njohur për denoncimet e tij të vazhdueshme në rrjetet sociale, ku publikonte informacione për aktivitetin e grupeve të fuqishme të trafikut të drogës dhe lidhjet e dyshuara të tyre me politikanë.

The post Ekzekutohet gazetari në Kosta Rikë, kishte denoncuar lidhjet e politikanëve me kartelet e drogës appeared first on GIJOTINA.