Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar vërshime uji në zonën e Thethit, ku banorët po përballen me probleme që prej mbrëmjes së kaluar. Më e prekur paraqitet Fushë-Thethi, ku prurjet e ujit kanë dalë nga kanalet dhe janë përhapur në afërsi të banesave, duke krijuar rrezik për to.
Si pasojë e përmbytjeve, raportohen edhe dëme në bagëti në banesën e Dedë Drenit, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për përkeqësimin e situatës.
Krahas vërshimeve, një tjetër problem për zonën mbetet ndërprerja e energjisë elektrike, duke shtuar vështirësitë për banorët në këto kushte atmosferike.
Moti i keq i cili ka përfshirë vendin ka shkaktuar probleme dhe ka lënë pa energji elektrike një numër të madh njësish administrative dhe lagjesh në Kukës, Has dhe Tropojë.
Në Bashkinë e Kukësit, ndërprerjet e energjisë elektrike prekin njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan, Malzi, Kolsh, Surroj dhe Tërthore, si dhe lagjet nr. 1, 2 dhe 3 të qytetit.
Situata paraqitet problematike edhe në Bashkinë Has, ku pa energji kanë mbetur qyteti i Krumës, Njësia Administrative Fajza, fshatrat Kishaj dhe Pogaj, si dhe njësitë administrative Gjinaj dhe Golaj. Ndërsa në Tropojë, ndërprerjet raportohen në Dragobi, Çerem, Dunishë, Margegaj, Tropojë dhe Fierzë.
Përveç ndërprerjeve të energjisë, moti i keq ka shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore.
The post Moti i keq në veri! Përmbytjet përfshijnë Thethin, mungon edhe energjia elektrike appeared first on GIJOTINA.