Një krim i rëndë me protagonistë dy shtetas nga Kosova po shqyrtohet nga drejtësia austriake.
Një 47-vjeçar akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij 38-vjeçare, ndërsa në këtë çështje është përfshirë edhe një 45-vjeçar, i cili dyshohet se i ka siguruar armën e përdorur në ngjarje.
Sipas mediave austriake, 47-vjeçari ishte ndarë nga gruaja dhe dyshohet se kishte zhvilluar bindjen se ajo merrej me magji të zezë dhe ishte e lidhur me forca demonike.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në mënyrë veçanërisht brutale. Fillimisht, autori i dyshuar e ka qëlluar 38-vjeçaren tri herë me pistoletë të markës Beretta, ndërsa më pas e ka goditur rreth 40 herë me kaçavidë në pjesën e sipërme të trupit.
Rrethana shqetësuese janë zbuluar edhe gjatë ekzaminimeve të gjendjes së tij mendore. Mediat shkruajnë se edhe pas arrestimit dhe gjatë qëndrimit në burg, 47-vjeçari vazhdonte të fliste për demonët dhe magjinë e zezë.
Një ekspertizë mjekësore ka konstatuar se ai vuante nga çrregullime psikotike dhe e ka vlerësuar të paaftë për të mbajtur përgjegjësi penale.
Në bankën e të akuzuarve është edhe 45-vjeçari nga Kosova, i cili dyshohet se i ka siguruar armën autorit të dyshuar, duke qenë në dijeni të planit të tij për të vrarë bashkëshorten. Autoritetet austriake po shqyrtojnë rrethanat e kësaj çështjeje, e cila përmban detaje të rënda si për mënyrën e kryerjes së krimit, ashtu edhe për gjendjen psikike të të akuzuarit.
The post Krimi tronditës në Austri/ 47-vjeçari nga Kosova vret bashkëshorten me armë dhe kaçavidë, besonte se ajo merrej me magji të zezë appeared first on GIJOTINA.