Taksistët në protestë, kërkojnë taksa më të ulëta dhe kufizimin e numrit të licencave

Ashtu siç kishin paralajmëruar, shoferët e taksive kanë dalë në protestë ditën e sotme në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sindikata e Transportit Taksi ka deklaruar se shkak për protestën është bërë mungesa e reagimit nga institucionet për kërkesat e përsëritura të tyre lidhur me problematikat e sektorit.

Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Punonjësve të Transportit të Shqipërisë, Gëzim Karanxha, renditi disa nga arsyet që i kanë çuar taksistët drejt protestës. Ai përmendi numrin e lartë të licencave, cilësinë e karburanteve, taksat e larta dhe mungesën e vendqëndrimeve për taksitë.

Mes kërkesave kryesore të taksistëve janë:

Respektimi i tarifave të taksimetrit dhe përcaktimi i kritereve për personat që ushtrojnë këtë shërbim.

Targat, pulla e Bashkisë dhe licenca të jenë në pronësi të personit që ushtron aktivitetin.

Largimi nga shërbimi i automjeteve që nuk janë të licencuara.

Ulja dhe stabilizimi i çmimit të karburantit, si dhe garantimi i cilësisë së tij.

Trajtimi me përparësi i shërbimit taksi nga organet e qarkullimit rrugor.

Përcaktimi i numrit të licencave në bazë të numrit të banorëve.

Subvencionimi i karburantit, duke qenë se transporti taksi konsiderohet prej tyre si shërbim publik.

Përfaqësuesit e sindikatës bëjnë me dije se kanë kërkuar më herët zgjidhjen e problematikave përmes dialogut, duke propozuar një tryezë të përbashkët me institucionet përgjegjëse, ku kanë qenë të përfshira Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Bashkia e Tiranës dhe strukturat e policisë.

Megjithatë, ata shprehin pakënaqësi për mungesën e një përgjigjeje konkrete nga Bashkia e Tiranës lidhur me kërkesat e tyre.

Në deklaratën e tyre, sindikalistët paralajmërojnë se protesta do të vijojë dhe do të përshkallëzohet nëse nuk do të ketë një reagim nga institucionet.

Taksistët kanë paralajmëruar se ditën e hënë do të dalin sërish në protestë, këtë herë në Bulevard, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

 

The post Taksistët në protestë, kërkojnë taksa më të ulëta dhe kufizimin e numrit të licencave appeared first on GIJOTINA.