Konferenca e Kryetarëve është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës. Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar tërheqjen urgjente të akteve normative që lidhen me protestat e studentëve dhe reagimin e forcave të rendit.
Po ashtu Blushi akuzuar mazhorancën se po synon të legjitimojë dhunën ndaj studentëve dhe të vijojë qeverisjen përmes forcës.
Gjatë debatit me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deputeti deklaroi se Kuvendi nuk duhet të kthehet në një institucion që miraton dhe legjitimon veprimet e dhunshme të shtetit.
“Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se ju doni të vazhdoni të qeverisni përmes dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeaxhenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve. Dhuna po dënohet edhe nga eurodeputetët, ndërkohë që kryetari i Kuvendit, në heshtjen e tij, nuk reagon. Ju po dëshmoni jo vetëm se jeni përgjegjës për krizën, por edhe nxitës të përshkallëzimit të saj. Futja e këtyre akteve normative dëshmon natyrën kriminale të kësaj mazhorance, e cila kërkon të qeverisë me shkopinj dhe plumba gome”, tha Blushi.
Në një debat me Taulant Ballën për Reformën Zgjedhore, Blushi deklaroi se me qëndrimin e tij, Balla po pengon mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Me qëndrimin tënd për Reformën Zgjedhore, provove se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ti je një provokator i ulët, që mbron në këtë Kuvend interesat e klaneve kriminale. Kryeaxhenda e Komisionit të Reformës Zgjedhore duhet të jetë e qartë: hapja 100% e listave, krijimi i një Qeverie Teknike dhe zgjedhja e Presidentit nga populli. Boll më me deputetë të emëruar nga kryetarët e partive! Deputetët duhet t’i zgjedhë populli dhe jo kryetarët e partive”, u shpreh Blushi.
The post Blushi debat me Peleshin e Ballën: Doni të qeverisni me shkopinj dhe plumba gome, tërhiqni urgjentisht aktet normative ndaj protestuesve appeared first on GIJOTINA.