Deputetja Sara Mile paraqitet në SPAK, Prokuroria e Posaçme po e heton për korrupsion në zgjedhje

Deputetja e Partisë Socialiste Sara Mile është paraqitur mëngjesin e kësaj e mërkure në zyrat e SPAK.

Mësohet  se Mile është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, pasi po hetohet nga prokurori Bledar Maksuti me dyshime për korrupsion në zgjedhje.

Ajo ka mbërritur e vetme në godinën e institucionit, ndërsa SPAK po heton dyshimet se janë bërë favorizime dhe dhënie e ndihmës ekonomike për persona të caktuar, me qëllim që ata të votonin për Partinë Socialiste.

Sipas informacioneve, dosja në fjalë ka mbërritur në SPAK nga Elbasani. Hetimet lidhen me dyshime për përdorimin e ndihmës ekonomike dhe përfitimeve të tjera për të ndikuar te votuesit gjatë procesit zgjedhor.

Ndërsa është paraqitur në SPAK, Mile nuk ka bërë asnjë koment për gazetarët.

Kujtojmë që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka akuzuar vazhdimisht deputeten socialiste të qarkut të Elbasanit se e ka siguruar mandatin përmes mbështetjes nga krimi i organizuar.

Sara Mile doli deputete nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

The post Deputetja Sara Mile paraqitet në SPAK, Prokuroria e Posaçme po e heton për korrupsion në zgjedhje appeared first on GIJOTINA.