Prej ditës 1 në shesh, flasin motrat aktiviste: Jemi në rrugën e duhur, nuk largohemi pa dorëheqje

Dy motrat aktiviste Elsa dhe Fatma Paja, që ndodhen prej ditës së parë në shesh folën për mikrofonin e News24.

Ato shprehen të vendosura të qëndrojnë aty deri në largimin e qeverisë Rama.

Elsa Paja thekson se kjo nuk është thjesht një protestë, por një lëvizje shoqërore, revolucionarizuese.

“Jemi në muajin e gjashtë. Dmth nuk është thjesht protestë, është një lëvizje shoqërore, që e quajmë revolucion. Që duhet të ndryshojmë secili nga ne para se të ndryshojmë qeverinë. Jemi në rrugën e duhur. Kjo lëvizje ka patur dinamika të ndryshme. Që nga lëvizja paqësore, revolta që erdhi. Qeveria na talli na dha lloj-lloj etiketimi. Nuk e parashikojmë ça do ndodhi. Secili duhet të jetë këtu në protestë çdo ditë.”

Fatma thotë që vendi kishte nevojë për këtë zgjim, teksa hedh poshtë kërkesën e Ramës për dialog, si një ofertë për ta shuar protestën.

“Së pari them se prej shumë vitesh nuk e kemi patur një protestë të tillë. Protestë shumë e fuqishme që kemi fituar dhe mësuar shumë. Nuk e lëmë këtë shesh pa e dhënë Rama dorëheqjen. Nuk ka një organizim nga dikush por vetë qytetarët janë të gatshëm ta bëjnë me njëri tjetrin. Tregon sa e nevojshme dhe kem ngritur zërin. Jemi përballur prej shumë vitesh që para Ramës, se nuk shikojmë diferencë mes partive. Kjo protestë është një rizgjim i vetëdijes sonë si qytetar si njerëz.

Kjo është nga fitoret që i kemi dhënë vendit. Dialog për mua është baraz me negociatë. Tregon panik nga ana e tij. Mund ta kishte kërkuar te protesta paqësore, para se të fillonte projekti në Nartë. Dialog mund të kërkonte për kushtet në spitale, si është transporti. Nuk do dialog do vetëm të frikësojë dhe të ulë këtë zjarr. Bullizim që Rama tenton të përdorë por edhe mosdije se si të veprojë. Kjo nuk është protestë e lehtë.”

Elsa e mbyll duke u shprehur se nuk mund të ketë dialog pas dhunës policore javët e fundit gjatë protestave studentore.

“Ne nuk ndalemi. Si mund të bëjmë dialog ku ka një personi që i është vrarë syri, ku janë qëlluar me plumba, me gjithë atë gaz. Në momentin që lemë sheshin kemi vulosur çdo gjë. Është momenti që do zgjasë, por duhet të jenë në shesh bashkë me njerëzit.”

The post Prej ditës 1 në shesh, flasin motrat aktiviste: Jemi në rrugën e duhur, nuk largohemi pa dorëheqje appeared first on GIJOTINA.