Një penallti e humbur nga Bruno Dita dhe dy gola në pjesën e dytë i kushtojnë Dinamos, që pëson një humbje të papritur në shtëpi.
Skënderbeu ka marrë një fitore me shumë peshë në transfertë, duke mposhtur Dinamo City me rezultatin 2-0. Korçarët zhvilluan një ndeshje të zgjuar dhe shfrytëzuan momentet vendimtare të takimit për të siguruar tri pikë të rëndësishme në kampionat. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që u treguan të kujdesshme dhe nuk krijuan shumë raste të rrezikshme. Mundësia më e mirë për të zhbllokuar rezultatin i përkiste Dinamos, por goditja e Qefalisë në minutën e 37-të përfundoi jashtë kuadratit.
Gjithçka ndryshoi pas pushimit. Në minutën e 63-të, Dinamo pati shansin ideal për të kaluar në avantazh, pasi fitoi një 11-metërsh. Megjithatë, Bruno Dita nuk arriti të shfrytëzonte mundësinë, duke gabuar nga pika e bardhë.
Skënderbeu nuk e fali këtë shpërdorim. Në minutën e 70-të, miqtë fituan vetë një penallti dhe Saleh Nasr u tregua i saktë, duke dërguar topin në rrjetë dhe kaluar korçarët në avantazh.
Dinamo u përpoq të rikthehej në lojë, por në minutën e 86-të mori edhe goditjen përfundimtare. Bismark Charles shënoi golin e dytë dhe vulosi fitoren 2-0 të Skënderbeut në kryeqytet. Një sukses me vlerë të madhe për korçarët, që marrin tri pikë të rëndësishme dhe synojnë të ngjiten në renditje, ndërsa Dinamo humbet terren në garën për kreun, pas një ndeshjeje ku shpërdorimi i penalltisë rezultoi vendimtar.
gijotina.com/
The post Dinamo City shpërdoron penalltinë dhe ndëshkohet dy herë nga Skënderbeu appeared first on GIJOTINA.