Reforma territoriale, Këshilli Bashkiak Elbasan shprehet pro për bashkimin me Cerrikun dhe Belshin

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka dhënë sot mendimin pro për propozimin për riorganizimin administrativo-territorial, që parashikon bashkimin e Bashkisë Elbasan me Bashkitë Cërrik dhe Belsh.

Vendimmarrja erdhi pas procesit të konsultimeve publike të zhvilluara në territor, ku u evidentuan mendimet, qëndrimet dhe propozimet e qytetarëve dhe aktorëve vendorë.

Në konsultime morën pjesë 670 persona, nga të cilët 513 u shprehën pro reformës, ndërsa 67 kundër.

Nga 51 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në votim morën pjesë 36 këshilltarë. 26 votuan pro dhe 2 kundër.

Në mendimin e miratuar, Këshilli Bashkiak thekson se reforma duhet të garantojë vazhdimësinë dhe cilësinë e shërbimeve publike, si dhe aksesin dhe përfaqësimin e komuniteteve në territorin e riorganizuar.