Zgjedhjet në Spanjë/ Mbyllen qendrat e votimit pas pjesëmarrjes rekord, konservatorët synojnë rrëzimin e Pedro Sánchez

Qendrat e votimit në pjesën më të madhe të Spanjës janë mbyllur, pas një pjesëmarrjeje shumë të lartë në zgjedhjet që mund të sjellin largimin nga pushteti të kryeministrit socialist Pedro Sánchez.

Votimi është karakterizuar nga fluks i madh qytetarësh, veçanërisht në Madrid, Valencia dhe Sevilje, ndërsa në Ishujt Kanarie procesi do të vijojë edhe për një orë.

Rezultatet e para paraprake pritet të publikohen pas orës 21:00, ndërsa një panoramë më e qartë e rezultatit pritet rreth orës 22:30.

Gara kryesore zhvillohet mes Partisë Socialiste të Sánchez dhe Partisë Popullore konservatore, të drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, ndërsa në garë është edhe partia e ekstremit të djathtë Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal.

Përpara votimit, Sánchez shprehu bindjen se një pjesëmarrje prej 75% ose më shumë mund t’u siguronte forcave progresiste 176 vende në parlament, numri i nevojshëm për krijimin e shumicës.

Ndërkohë, konservatorët shpresojnë se mobilizimi i lartë i votuesve do të favorizojë ndryshimin e pushtetit.

Një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje kanë edhe votuesit e rinj, me mbi 1.6 milionë persona që votojnë për herë të parë, ndërsa shqetësimet kryesore të tyre lidhen me strehimin, kushtet e punës.

Zgjedhjet zhvillohen gjithashtu në një klimë të tensionuar, pas dy aksidenteve të rënda hekurudhore në dhjetë muajt e fundit, ku humbën jetën gjithsej 114 persona.

Pas aksidentit të dytë, ministri i Transportit, Óscar Puente, dha dorëheqjen, duke deklaruar se nuk mund të qëndronte në detyrë pas dy tragjedive të kësaj përmase brenda më pak se një viti.

Qeverisja e Sanches u kritikua ashpër edhe për këto ngjarje.

 

 

The post Zgjedhjet në Spanjë/ Mbyllen qendrat e votimit pas pjesëmarrjes rekord, konservatorët synojnë rrëzimin e Pedro Sánchez appeared first on GIJOTINA.