Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën politike dhe protestat e zhvilluara në vend prej 184 ditësh. Salianji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një hap të nevojshëm për rikthimin e qetësisë, normalitetit dhe besimit tek institucionet.
Në reagimin e tij, ish-deputeti dënon përdorimin e forcës policore gjatë protestave, duke përmendur gazin, armët dhe autobotët, ndërsa i cilëson të papranueshme pamjet e dhunës në një vend që synon integrimin europian.
Salianji ngre gjithashtu shqetësimin për dhunën ndaj qytetarëve, deputetëve dhe gazetarëve, duke pretenduar se këto ngjarje tregojnë mënyrën se si po ushtrohet pushteti.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për përgjegjësi politike dhe një zgjidhje të situatës, e jo për represion dhe përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Në fund të reagimit, Salianji thekson se qytetarët po protestojnë për një Shqipëri europiane dhe se vendi nuk duhet të mbahet peng nga interesat e kryeministrit dhe të një grupi të ngushtë njerëzish.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
Shqipëria nuk mund të tërhiqet më zvarrë! Edi Rama duhet të japë dorëheqjen për t’i dhënë vendit mundësinë të rikthejë qetësinë, normalitetin dhe besimin te institucionet.
Pamjet ku pushteti mbrohet me dhunë policore, armë, gaz dhe autobotë janë të papranueshme në një vend që aspiron të jetë pjesë e Europës.
Dhuna ndaj qytetarëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të medias është një tregues alarmant i mënyrës se si ushtrohet pushteti, me forcë për të mbrojtur pushtetin dhe interesat pasurore të një klike të ngushtë.
Shqipëria ka nevojë për zgjidhje, jo për përshkallëzim të konfliktit. Ka nevojë për përgjegjësi politike, jo për represion.
Qytetarët po bëjnë gjithçka për një Shqipëri europiane.
Shqipëria nuk mund të mbahet peng për interesat e Edi Ramës dhe një grushti njerëzish!
The post 184 ditë protestë dhe përplasje/ Salianji: Shqipërisë i duhet zgjidhje politike, jo represion dhe përshkallëzim të konfliktit appeared first on GIJOTINA.