Rrëzuan pagën e 13-të/ Zhupa: Kjo është qeveri antiarsim! Bashkojuni protestës mësues, për dinjitetin dhe të ardhmen tuaj

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, denoncon rrëzimin nga mazhoranca socialiste të amendamentit të saj për pagën e 13-të të mësuesve, i cili parashikonte një fond prej 2.99 miliardë lekësh për këtë mbështetje financiare.

Zhupa e cilëson votimin me 80 vota kundër si dëshmi të një qeverie antiarsim dhe antimësues, që gjen fonde për koncesione, tendera, projekte luksi dhe klientët e saj, por jo për të vlerësuar punën dhe përgjegjësinë e mësuesve.

Ajo i bën thirrje mësuesve t’i bashkohen protestës kombëtare në orën 10:00, duke kërkuar të mos heshtin përballë pagave që nuk përballojnë rritjen e kostos së jetesës dhe mungesës së vlerësimit për profesionin e tyre.

Reagimi Ina Zhupës:

Socialistët rrëzuan me 80 kartona amendamentin tim për pagën e 13-të të mësuesve! Një fond prej 2.99 miliardë lekësh që do të mundësonte këtë mbështetje për mësuesit.

Është e turpshme që në një vend ku qeveria shpërndan miliona e miliarda për koncesione, tendera, inceneratorë që nuk ekzistojnë, projekte luksi dhe klientët e saj, nuk gjen para për mësuesit!

Mësuesit përballen me rritjen e kostove të jetesës, me një barrë pune që nuk paguhet (korrigjime, përgatitje mësimore, punë administrative) dhe me një profesion që po humbet gjithnjë e më shumë tërheqjen për të rinjtë. Mungesa e motivimit financiar, mungesa e vlerësimit dhe kushtet e punës po nxisin largimin nga profesioni, ndërkohë që sistemi arsimor ka nevojë për mësues të mirë, të motivuar dhe të qëndrueshëm.

Ndaj ftoj të gjithë mësuesit ti bashkohen protestën kombëtare të gjithë shqiptarëve në orën 10:00, mos të kenë frikë për vendin e punës. Të mendojnë që pagat e tyre nuk pasqyrojnë rëndësinë dhe përgjegjësinë e profesionit, që rritja e kostos së jetesës ua ka ulur fuqinë blerëse. Kjo është qeveri antiarsim, antimësues.

The post Rrëzuan pagën e 13-të/ Zhupa: Kjo është qeveri antiarsim! Bashkojuni protestës mësues, për dinjitetin dhe të ardhmen tuaj appeared first on GIJOTINA.