Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë.
Në mesazhin e tij, Spahiu shprehet se festat e nëntorit ngjallin krenari në zemrat e shqiptarëve për historinë dhe simbolin kombëtar, flamurin kuqezi.
Sipas tij, 28 Nëntori përfaqëson më shumë se një datë historike, pasi mishëron sakrificat dhe aspiratat e brezave të tërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Kreu i KMSH-së nënvizon se dashuria për atdheun është një ndjenjë e thellë njerëzore, e cila pasqyrohet edhe në traditën islame, ndërsa flamurin kuqezi e cilëson si dëshmi të bashkëpunimit dhe unitetit kombëtar.
Spahiu thekson gjithashtu se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vijojë të kontribuojë në forcimin e paqes, harmonisë ndërfetare, edukimit, solidaritetit dhe zhvillimit të vendit.
“Atdheu, amanet i përbashkët
28 Nëntori është më shumë se një festë kombëtare; është kujtesë e sakrificave të brezave, e dashurisë për atdheun dhe e amanetit që kemi për ta ruajtur e zhvilluar vendin tonë.
Një dashuri që, siç na mëson edhe tradita jonë islame, shprehet përmes përkushtimit, përgjegjësisë dhe kontributit për të mirën e përbashkët.
Në këtë ditë të shënuar, nderojmë të gjithë ata që punuan dhe sakrifikuan për Shqipërinë, duke kujtuar se uniteti, respekti dhe bashkëjetesa janë vlera që duhet t’i përcjellim brez pas brezi.
Gëzuar festën e pavarësisë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen”, thuhet në postimin e shpërndarë në Facebook.
The post 28 Nëntori/ Kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu uron shqiptarët: Atdheu mbetet amanet i përbashkët appeared first on GIJOTINA.