Kuvendi voton Buxhetin 2027, në rend dite edhe ndryshimet në ligjin për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën plenare, ku në qendër të diskutimeve dhe votimit do të jetë miratimi i projektbuxhetit për vitin 2027, së bashku me paketën fiskale. Në rendin e ditës janë përfshirë edhe dy akte normative, që lidhen me organizimin e tubimeve dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.

Seanca plenare pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa në rendin e ditës janë përcaktuar 11 pika. Pas diskutimeve të zhvilluara në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, deputetët pritet të votojnë dokumentin më të rëndësishëm financiar të shtetit për vitin e ardhshëm, si dhe një sërë ndryshimesh ligjore që prekin sistemin tatimor.

Në seancën sotme do të kalojnë për shqyrtim edhe dy aktet normative të qeverisë të 28 tetorit, për ndryshimet në ligjin për tubimet dhe dëmshpërblimin e subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.

Ndryshimet përfshijnë ligjet për tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Gjatë seancës, Kuvendi do të shqyrtojë edhe aktin normativ nr. 5, i cili parashikon shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tubimet”, si dhe aktin normativ nr. 6, që lidhet me kompensimin e dëmeve civile të shkaktuara ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave të tyre.

Shqyrtimi i këtyre dy akteve vjen vetëm dy ditë para protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor. Ndërkohë, protestat e përditshme kundër qeverisë Rama në kryeqytet kanë arritur në ditën e 179-të.

Rendi i plotë i ditës së seancës plenare:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.11.2026.
2. Njoftime.
3. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
8. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
9. Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”.
10. Akti normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, ‘Për tubimet’”.
11. Akti normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.

The post Kuvendi voton Buxhetin 2027, në rend dite edhe ndryshimet në ligjin për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve appeared first on GIJOTINA.