Ambasadori Meidani në Shkup: Shqipërinë e gjeta këtu, të ruajmë gjuhën, flamurin dhe unitetin kombëtar

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në Shkup në cilësinë e ambasadorit, gjatë pritjes solemne të organizuar me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një fjalim të veçantë, të mbushur me emocione, kujtime historike dhe mesazhe për bashkimin kombëtar, Meidani bëri të ditur se mandati i tij diplomatik në Maqedoninë e Veriut po përfundon, duke ndarë me të pranishmit reflektimet për përvojën e tij gjatë qëndrimit në Shkup.

Ai e nisi fjalimin duke rikujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, duke vlerësuar sakrificën e 40 burrave që, në rrethana të vështira historike, vunë themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Meidani theksoi se Shqipëria nuk përfaqësohet vetëm nga kufijtë e saj gjeografikë, por nga historia, kultura, gjuha dhe kontributi i shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në mbarë botën.

Në fjalimin e tij, ambasadori përmendi figura të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, si Skënderbeu, Nënë Tereza, Çajupi, Faik Konica, Ismail Kadare, Vaçe Zela, si dhe personalitete bashkëkohore që kanë promovuar emrin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të cilat Meidani tha se duhet të ndërtohen mbi barazinë, bashkëpunimin dhe perspektivën e përbashkët evropiane.

“Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën e Evropës. Suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit. Fqinjësia jonë është një derë që rri hapur. Miqësia jonë është buka që ndajmë kur hyjmë brenda”, u shpreh ai.

Meidani renditi edhe disa nga rezultatet dhe projektet e realizuara gjatë mandatit të tij në Shkup. Ndër to përmendi zbatimin e sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare mes dy vendeve, shpërndarjen e Abetares së unifikuar, bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe rinisë, bursat dhe kuotat për studentët shqiptarë në universitetet e Shqipërisë, si dhe rinovimin e Shtëpisë-Muze të Alfabetit në Manastir.

Ai përmendi gjithashtu mbështetjen për Bibliotekën “Linkest”, përfshirjen më të madhe të përfaqësuesve të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në aktivitetet e organizuara në Tiranë, si dhe projektin e shkollës në Nerovë.

Duke folur për përvojën e tij diplomatike, ambasadori falënderoi institucionet e Maqedonisë së Veriut, kolegët diplomatë dhe bashkëpunëtorët, por mbi të gjitha qytetarët dhe bashkatdhetarët që takoi gjatë mandatit.

“Erdha me një listë takimesh. Po iki me një listë miqsh. Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika. Këto ura i ndërtuat ju. Unë pata nderin t’i kaloj bashkë me ju”, deklaroi Meidani, njofton TS.

Mesazhi më emocional i fjalimit iu drejtua shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe mërgatës. Meidani kujtoi se kur kishte ardhur në Shkup, mendonte se do t’u sillte Shqipërinë shqiptarëve të këtyre trojeve, por gjatë mandatit kishte kuptuar se Shqipërinë e kishte gjetur pikërisht mes tyre.

“Kur erdha në Shkup, mendoja se po ju sillja Shqipërinë. Në fakt, Shqipërinë e gjeta këtu. E gjeta te fëmijët që ma dhuruan flamurin në vizatimet e tyre. E gjeta në rrugët tuaja, të veshura kuq e zi në çdo festë tonën. E gjeta te mësuesja që e nis çdo mëngjes orën e mësimit në shqip”, u shpreh ambasadori.

The post Ambasadori Meidani në Shkup: Shqipërinë e gjeta këtu, të ruajmë gjuhën, flamurin dhe unitetin kombëtar appeared first on GIJOTINA.