Lëndët narkotike po afrohen gjithnjë e më shumë me ambientet ku qëndrojnë te miturit ka realizuar një investigim në disa prej shkollave të Tiranës, një 17-vjeçar tregon se e provoi drogën 4 vite më parë, me qëllim që të ndihet i pranuar nga shokët. Ekspertët ngrenë alarmin, sipas tyre familja, shkolla dhe rrethi shoqëror kanë rol kyç në parandalimin e rënies pre, ndërsa mësuesit shprehen se fushatat sensibilizuese nuk e shërojnë problemin. Psikololgët thonë se mungesat në shkollë dhe humbja e vënmendjes në mësime janë ndër shenjat e para që nuk duhen nënvlerësuar.
Bilanci i rasteve të goditura nga Policia tregon se këto substanca po shfaqen gjithnjë e më pranë mjediseve ku qëndrojnë të rinjtë. Gjatë muajit mars 2025, Policia raportoi 20 operacione kundër shitjes së kokainës dhe kanabisit në doza, mes tyre edhe raste të evidentuara në afërsi të ambienteve të shkollave.
Një vit më pas, në prill 2026, në Vlorë, një 17-vjeçar u arrestua, ndërsa një 16-vjeçar u procedua në gjendje të lirë, pasi dyshoheshin për shpërndarje të lëndëve narkotike te të miturit.
Po në prill, në zonën e Kavajës policia zbuloi një bazë ku prodhohej drogë sintetike në formë karamelesh, e cila shpërndahej pranë shkollave të mesme dhe kryesisht te moshat adoleshente.
“Për hir të së vërtetës kemi një rritje të numrit të minorenëve sidomos të moshës 14-18 vjeç të cilët konsumojnë lëndë narkotike. Kjo është një sinjal I keq për shoqërinë tonë. Mendoj që shkolla dhe familja kur shohin shenja të përdorimit të lëndëve narkotike duhet të bëjnë më shumë me këta njerëz. Shkolla nga ana e saj me mësuesit dhe rastet e tjera duhet të jetë kontrolli më I madh me ta që të parandalohet që të mos degradojë më shumë”, tha Ervin Karanxha, ish prokuror.
Një të mitur i cili prej disa vitesh ka rënë pre e këtyre substancave, shpjegon si ra në kontakt me shpërndarësit dhe përplasjen me prindërit.
Sa vjeç ke qenë kur kë rënë në kontakt për herë të parë me lëndët narkotike?
I mituri: “Isha 13 vjeç.”
Si re në kontakt me lëndët narkotike, ku e more?
I mituri: “Nëpërmjet shokëve. Disa shokë e pinin dhe dhanë edhe mua.”
“Mendoj që rrethi shoqëror ndikon shumë. Dhe rrjetet sociale kanë ato të vetat por, rrethi shoqëror ka të bëjë shumë. I fillon disa gjëra si me shaka, merr një lëndë narkotike si me shaka por, ndodh më pas që vjen rëndimi I shëndetit sepse lënda anrkotike është e dëmshme për shëndetin. Për momentin të jep atë kënaqësinë që të shkëput nga realiteti por, realisht të dëmton trurin. Të dëmton për zhvillimin normal. Mendoj që shoqëria duhet të bëjë një rol më të madh dhe më shumë ndikim ka rrethi shoqëror sesa rrjetet sociale. Sepse bëhët ndonjëherë përpjekje, jo ndërpriti rrjetet sociale, kjo nuk ka lidhje. Njeriu duhet të informohet nga rrjetet sociale por, rrethi shoqëror që ta jep lëndën narkotike nga kurioziteti, nga nxitja. Madje në kodin penal nxitja për përdorimin e lëndëve narkotike është një vepër penale e veçantë dhe për të miturit, kur nxit një të mitur që të përdorë lëndën narkotike, ka një masë dënimi shumë të lartë”, tha Karanxha.
“Sigurisht shoqëria ndikon shumë tek faza më delikate e adoleshentëve. Adoleshenca është një fazë tepër delicate. Normalisht si në vendin tone, si në vendet perëndimore, si në europë kudo dhe ndaj është faza e adoleshencës që duhet të jemi të paktën më tolerantë, të jemi të paktën më të mirëkuptueshëm në këtë fazë të adoleshenteve të cilët kanë edhe një zhvillim hormonal tepër të rritur sesa një adoleshent që mund të kemi pasur ne në kohën tonë dhe normalisht kjo është një faktor që edhe i nxit edhe më shumë akoma. Kemi dhe nga ato faktorët që në faza adoloeshence nga zhvillimi hormonal të tepërt dhe të theksuar kanëarritur edhe kanë abuzuar seksualisht me bashkëmoshatarët e tyre”, shprehet Marsela Lekli – psikologe.
I mituri tregon detaje të forta, duke u ndjerë i detyruar ta konsumonte për të mos u ndarë nga grupi shoqëror dhe flet për frikën nga prindërit.
Çfarë ke konsumuar dhe ku e pinit?
I mituri: “Futeshim mbrapa shkollës dhe pinim hashash!”
A kanë dyshuar ndonjëherë mësuesit?
I mituri: “Na kanë parë disa herë dhe na bërtisnin.”
Po prindërit si e kuptuan?
I mituri: “U kishte treguar një shok që më kishte parë, i kishte thënë mamit. Pastaj mami i kishte treguar babait, bëmë sherr.”
Çfarë ndodhi më pas, a fillove të ndjeje ndryshime tek vetja jote?
I mituri: “Më pas fillova të ndjeja ndryshime, nuk rrija shumë në shtëpi, rrija vetëm rrugave, nuk kisha ndjenja për familjen.
Kur vendose ta lije?
I mituri: “Kuptova që po më bënte keq dhe nuk po kaloja shumë kohë me familjen.”
Kush të ndihmoi?
I mituri: “Mami im më shumë. Më rrinte afër. Mami la punën, me çonte në shkollë dhe priste derisa të mbaroja mësimin dhe më merrte në shtëpi. Më largoi nga shokët që konsumonin lëndë narkotike dhe më regjistroi në një kurs futbolli, ku bëheshin shumë herë analiza.”
Sa vite e pive dhe sa vjeç je sot?
I mituri: “E piva 3 vite, kam mbi 1 vit që jam larguar. Tani jam 17 vjeç.”
Po të ktheheshe pas, çfarë do të bëje ndryshe?
I mituri: “Do të thoja jo që në fillim. Dhe do t’i tregoja familjes time menjëherë.”
Çfarë do t’u thuash bashkëmosharatëve të tu?
I mituri: “Që të mos konsumojnë lëndë narkotike sepse në rradhë të parë i bëjnë dëm shëndetit të tyre dhe familjes. Largohuni nga familja dhe nuk kanë ndjenja për prindërit.
Nuk ia vlen të rrezikosh veten për t’u dukur “cool”.”
Por i mituri hezitoi të jepte detaje se ku e siguronin bashkëmoshatarët e tij lëndën narkotike dhe refuzoi të fliste për ish-grupin me të cilin shoqërohej.
Vetëm gjatë muajit shtator të 2026, Policia goditi dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave. Më 23 shtator, në Berat u sekuestruan mbi 4 kilogramë kanabis dhe u arrestuan dy persona të dyshuar për shitje pranë shkollave në Kuçovë dhe Moravë.
Ndërsa më 27 shtator, operacioni “Shkollat e pastra” çoi në identifikimin e 52 personave të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në Tiranë, ekzekutimin e 31 masave të sigurisë “Arrest në burg” dhe shpalljen në kërkim të 14 personave të tjerë.
Por, përtej ndërhyrjeve të policisë, sa të përgatitur janë mësuesit për të përballuar këtë fenomen? A kanë ata trajnimin e duhur për të identifikuar shenjat që mund të tregojnë se një adoleshent po përdor lëndë narkotike dhe për të ndërhyrë në kohë për ta ndihmuar?
“E shoh si një pyetje më vënd një pyetje të tillë, është shqetësuese që përdorimin e lëndëve narkotike e ndjekim dhe tek nxënësit nëpër shkolla, por a është një problem i dukshëm? Nuk mund ta mohojnë, por a janë minimizuar si raste nëpër shkolla në mjedise të brendshme patjetër që po. Në mjediset e jashtme kjo vihet re. Është shqetësuese sepse duhet kuptojmë shkaqet, përse nxënësit i shtyn drejt përdorimit të lëndëve narkotike. Shkaqet mund të jenë të ndryshme sidomos tek të miturit nën moshën 18 vjeç I shtyn kurioziteti, ajo që e bën atë për të provuar gjëra të reja, e fillon me duhanin, e fillon me alkoolin, me pijet energjike dhe përfundon deri tek përdorimi i lëndëve narkotike e para. E dyta është presioni, presioni i shoqërisë, presioni i grupeve për tu pranuar, se mbase ajo mënjanimi, izolimi nga pjesa e shoqërisë mbyllja në vetvete e bën atë që ai për të pranuar në atë grup pse jo të bëhet një përdorues. E shtyn drejt përdorimit problemet familjare, sot mund të përmendim probleme të shumta, mund të jenë divorcet, mund të jetë varfëria ,mund të jenë probleme të tjera psikologjike që shtyn atë përdorimit por ama të konstatosh dhe nxënës të tillë patjetër dhe duke përdorur lëndë të tilla ka pasoja tek ai”, thotë mësuesja Sabije Parruca.
Por si veprohet nga një mësues kur konstaton një nxënës që është përdorues i lëndëve narkotike?
“Atëherë natyra ime po flas personalisht natyra ime është natyrë që unë ruaj qetësinë. Të drejtpërdrejtë nuk dalin nxënës të tillë por ama në rast se shohim përgjumje gjatë orës mësimit, indiferentizëm, ka edhe raste ku ato tregohen energjikë, patjetër ne do të marrim nën kontroll situatën, të ruajmë qetësinë sepse në momentin që ne ruajmë qetësinë gjejmë mënyra nga më të duhura për ta parandaluar për ta zgjidhur këtë problem. Bëhet e mundshme, ka raste por duhet të kuptojmë, një nxënës që raporton patjetër ka frikë, pasi shoqëria do ta braktisë. Kemi patur raste, unë në përvojën time kam patur raste që më kanë sinjalizuar nxënësit, por kjo do të thotë që ka patur frikë se unë mos i nxjerr informacionin dhe humb besimin, pavarësisht që unë i kam dhënë besimin tim që kurrë nuk do të nxjerrë ty. E rëndësishme është që unë të të mbroj,unë të parandaloj, unë të gjej mënyrën rrugën për tu shkëputur nga një rrugë e tillë dhe patjetër po”, thotë ajo.
Mësuesja Irma Marku thotë se mësuesit duhet të krijojnë më shumë afrimitet më fëmijët në mënyrë që t’u ushqejnë besimin.
“Flitet por jo mjaftshtueshëm ose më saktë jo siç duhet të flitet për zgjidhjen e problemit. Të kuptojmë diçka, bërja e një pankarte apo 10 të tillave apo linçimi I parullave tipi “Mos u bëni përdorues të drogës”, “Droga vret”, nuk e shëron kjo problemin”,shprehet Irma Marku – mësuese.
Që fëmija të flasë dhe të kërkojë ndihmë, njëherë duhet të kemi kodin e besueshmërisë jo thjesht ligjet. Duhet të ketë fushata sensibilizuese se si mund të shkojmë tek zgjidhja e problemit, ku mund të shkojmë për ta zgjidhur problemin jo për ta evidentuar si statistikë, dhe kjo kalon përmes një raporti besueshmërie institucionale.”
Përdorimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë sjell pasoja të shumta, si ndryshime në sjellje apo luhatje emocionale. Por sa e rëndësishme është ndërhyrja në kohë?
“Realisht shenjat janë të shumta duke marrë nëse një fëmijë ka qene i rregullt në familje, në shoqëri, në shkollë, ka ndjekur sistematikisht shkollën apo edhe aktivitet e tij të përditshme. Normalisht ky është një impakt i parë që diçka nuk po shkon me këtë fëmijë apo me këtë djalë ose vajzë. Arsyet janë të shumta doemos nuk do të thotë që të gjitha këto sjellje të çojnë sepse është konsumus i lëndëve narkotike por realisht kjo ështe një indicia për të parë nëse kemi arritur aty ku duam të shohim ne. Por qartësisht mungesa, vëmëndja në mësim, në shoqëri, në familje sigurisht që e çon dhe janë simptomat dhe shenjat e para, por duke e parë dhe duke e vëzhguar deri ku ka arritur të jetë konsumues”, thotë Lekli.
Sipas psikologëve prindërit janë ata që vërejnë ndryshimin e parë tek fëmijët, të cilët paraqesin shenjat e para gjatë nisjes së përdorimit të narkotikëve.
“E para njëherë që komunikimi fillon tek familja, nëna, babai apo edhe pjesëtarë të tjerë, sigurisht që shohin një ndryshim tek fëmija i tyre duke parë që një fëmijë ka qënë i rregullt, korrekt dhe vjen një ditë e pazakontë që ai humb vëmendjen në mësime, për të shkuar në shkollë, humb vëmendjen nga shoqëria dhe normalisht ky është një hap i parë për të parë më shumë se çfarë ka një djalë ose kjo vajzë mund të jetë që mund të jetë I bullizuar nga shoqëria mund të jetë diskriminuar nga shoqëria ndoshta mund të jetë edhe një hap që është konsumues I lëndëve dhe narkotike dhe ka një mbyllje në vetvete të pashpjegueshme. Pastaj është roli i shkollës sigurisht, mësuesi kujdestar, psikologu apo punonjësi social i shkollës që duhet të marri hapa më korrekte dhe më serioze duke identifikuar të tilla raste sepse kemi parë së fundmi që kanë qenë dhe personazhi që kanë kërkuar ndihmë ndonjë punonjës sociale apo psikolog, kanë dashur të shprehet për arsye të ndryshme dhe nuk është marrë seriozisht, domethënë kemi dhe raste të tilla që janë drejtuar por dhe e treta është shoqëria”, shton ajo.
Report TV
The post Drogë pranë shkollave, dëshmia e të miturit: Hashashin ma dhanë shokët, e nisëm pas mësimit appeared first on GIJOTINA.