Gjykata shpall të pafajshëm Erzen Breçanin, ish-zyrtari i policisë: Drejtësia u vu në vend

Gjykata Penale e Tiranës ka shpallur të pafajshëm Erzen Breçanin, i cili ishte i dyshuar për veprat penale të pastrimit të parave dhe përkrahje të autorit të krimit.

Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit akuzohej për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim dhe përkrahje të autorit të krimit.

Çështja ndaj Breçanit kaloi për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli moskompetencën për gjykimin e saj.

Me vendimin e pafajësisë, Gjykata Penale e Tiranës ka përfunduar shqyrtimin e çështjes ndaj tij.

Pas vendimit të gjykatës, Breçani ka reaguar duke u shprehur: Drejtësia foli, drejtësia u vu në vend.

Akuzat

Erzen Breçani akuzohej nga SPAK për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit, në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Sipas hetimeve, ai dyshohej se, në bashkëpunim me djalin e tij, Eralbi Breçani, kishte fshehur origjinën e parave që dyshohej se vinin nga aktiviteti kriminal, duke i investuar në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete biznesi, përfshirë hidrocentralin “Drita”.

Gjithashtu, Breçani dyshohej se kishte ndihmuar Bujar Ajetin dhe Nuredin Dumanin për t’iu shmangur arrestimit, duke u përcjellë informacione që mund t’i ndihmonin të mos binin në duart e policisë.

 

The post Gjykata shpall të pafajshëm Erzen Breçanin, ish-zyrtari i policisë: Drejtësia u vu në vend appeared first on GIJOTINA.