Rrëfimi tronditës i Tyson Furyt: Isha në ferr, dëgjoja zëra që e kërcënonin familjen time

Tyson Fury ka zbuluar detaje tronditëse për periudhën më të errët të jetës së tij.

Në dokumentarin e ri të Netflixit, që publikohet më 27 nëntor, boksieri britanik flet hapur për problemet e rënda psikologjike, ndërsa bashkëshortja e tij, Paris, zbulon se ai ishte diagnostikuar me skizofreni të lehtë.

Gjithçka u përkeqësua pas fitores ndaj Wladimir Klitschkos në vitin 2015.

Fury ra në depresion, nisi të konsumonte alkool dhe drogë, ndërsa gjendja e tij arriti deri në atë pikë sa dëgjonte zëra që e kërcënonin.

“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte sikur të jetoja në një ferr të vërtetë. Besoja 100 për qind se do të përfundoja në një dhomë të mbyllur, me dyer të kyçura, dhe kjo më frikësonte jashtëzakonisht shumë”, rrëfen Fury.

Ai tregon edhe për një episod në spital, ku besonte se njerëz të fuqishëm po komplotonin kundër tij.

“Radioja filloi të fliste me mua, sikur të zhvillonte një bisedë të plotë. Më thoshte se mund të më kapnin në çdo moment dhe se do ta vrisnin babanë tim nëse nuk sillesha mirë”, tregon boksieri.

Paris kujton tmerrin që përjetoi kur e pa bashkëshortin në atë gjendje: “Ai më shikoi dhe më tha: ‘Më nxirr prej këtu. Iluminati janë të gjithë të përfshirë, nuk mund të më bëjnë të heshtur, prandaj do të më vrasin’. Isha shumë e frikësuar për të”.

Ajo zbuloi gjithashtu se mjekët e kishin diagnostikuar me skizofreni të lehtë.

 

 

 

 

The post Rrëfimi tronditës i Tyson Furyt: Isha në ferr, dëgjoja zëra që e kërcënonin familjen time appeared first on GIJOTINA.