Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Fierit, ku është vrarë me armë zjarri Selami Hasani. Rrethanat e atentatit mbeten ende të paqarta.
Selami Hasani, i njohur ndryshe me nofkën “Sel Çami”, është një emër i njohur për drejtësinë dhe blutë e Fierit për shkak të përplasjeve të ashpra dhe një hasmërie tredekadëshe në këtë qytet.
Hasani ka qenë i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e nipit të Arben Isufajt (i njohur gjerësisht si “Ben Qimja”), një ngjarje e rëndë e ndodhur në vitin 2003.
Pas krimit të vitit 2003, ai qëndroi në arrati për rreth 7 vite, derisa u arrestua nga forcat speciale RENEA në Fier në gusht të vitit 2009.
Hasani kishte dalë nga burgu vetëm një javë përpara se të ekzekutohej.
Dyshohet se autorët kanë hyrë në banesën e tij dhe e kanë qëlluar me armë zjarri. Nga ngjarja ka mbetur i plagosur rëndë edhe vëllai i viktimës
Pista kryesore ku po hetojnë autoritetet lidhet me të shkuarën e tij dhe konfliktet e vjetra të gjakmarrjes. Policia ka ngritur pika kontrolli në akset hyrëse dhe dalëse të Fierit dhe po këqyr kamerat e sigurisë në zonë për të rënë në gjurmët e autorëve.
Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si mjeti i përdorur nga autorët.
Njoftimi i policise
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Personi që shikoni në foto është Selami Hasani
The post Ekzekutohet me armë zjarri ‘Sel Çami’ në Fier, në vitin 2003 kishte vrarë nipin e “Ben Qimes” appeared first on GIJOTINA.