Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar mënyrën e shpërndarjes së lehtësimeve tatimore në paketën fiskale 2027, duke paralajmëruar se zgjerimi i skemës së TVSH-së do të sjellë kosto shtesë për bizneset e vogla.
Gjatë rubrikës “Këndi i Fundjavës”, Tabaku deklaroi se ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale 2027 nuk sjellin ulje të tatimit mbi pagën për një familje ku të dy prindërit marrin nga 100 mijë lekë bruto në muaj. Ndërkohë, sipas saj, një individ me pagë 300 mijë lekë bruto përfiton një ulje të tatimit prej rreth 10 mijë lekësh në muaj.
Deputetja demokrate e cilësoi këtë mënyrë të shpërndarjes së përfitimeve si një vendimmarrje politike të qeverisë Rama, duke kundërshtuar pretendimet se ndryshimet fiskale synojnë mbështetjen e shtresës së mesme.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura prej saj, as familjet ku të dy prindërit marrin paga prej 50 mijë lekësh bruto nuk përfitojnë lehtësime nga ndryshimet e propozuara.
“Po dy prindërit që punojnë çdo ditë dhe mezi mbulojnë shpenzimet e shtëpisë, ku janë në këtë llogari?”, pyeti ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Tabaku lidhet me uljen e pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset e vogla, nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Duke iu referuar relacionit të qeverisë, ajo deklaroi se rreth 17.500 biznese pritet të përfshihen në skemën e TVSH-së, ndërsa të ardhurat shtesë të parashikuara nga kjo masë arrijnë në 4,5 miliardë lekë.
Për të ilustruar ndikimin te biznesi i vogël, Tabaku mori si shembull një aktivitet ekonomik me xhiro vjetore prej 6 milionë lekësh, duke theksuar se kjo shumë nuk përfaqëson fitimin real të familjes që e administron. Nga këto të ardhura, sipas saj, duhet të mbulohen shpenzimet për furnitorët, qiranë, pagat e punonjësve dhe detyrimet e tjera.
Ajo argumentoi se përfshirja në skemën e TVSH-së do të shtojë edhe kostot e kontabilitetit, duke krijuar një barrë të mëtejshme për sipërmarrjet që operojnë në mënyrë të formalizuar.
Deputetja e PD-së ngriti pikëpyetje edhe mbi ndikimin që mund të ketë te konsumatorët ulja e premtuar e TVSH-së për ushqimet bazë në nivelin 6%.
Sipas saj, rritja e normës së TVSH-së për produktet e tjera në 21%, së bashku me kostot e transportit dhe përqendrimin e tregjeve, mund të kufizojnë përfitimet që pritet të reflektohen në çmimet për konsumatorët.
Duke u ndalur te pensionistët, Tabaku theksoi se pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre shkon për ushqime dhe pagesën e faturave të domosdoshme.
Përmes shembullit të një pensionisti që jeton i vetëm në banesën e tij, ajo argumentoi se pas mbulimit të shpenzimeve mujore mbeten shumë pak të ardhura për nevoja të tjera.
Në përfundim, Tabaku e lidhi mënyrën e shpërndarjes së barrës tatimore me atë që e cilësoi si një sistem fiskal që favorizon një pakicë, ndërsa përsëriti kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Deklarata e plotë e Tabakut:
Të enjten herët në mëngjes, Parlamenti votoi me votat e socialistëve paketën fiskale dhe buxhetin 2027. Sot do të shohim se sa para mbeten në xhepat e familjeve shqiptare pas këtij buxheti.
Gjatë seancës plenare dëgjuam nga kryeministri, në fjalën e tij, për miliardat që do të mblidhen dhe do të shpenzohen. Por për një prind që jeton me pagë, për një pensionist apo për dikë që mban familjen me një biznes të vogël, llogaria fillon te fatura e ushqimeve dhe mbaron te paratë që mbeten në fund të muajit.
Një familje me dy paga të vogla, nga 50 mijë lekë bruto secila, nuk përfiton asnjë lek nga ndryshimet në tatimin mbi pagat. Edhe për një familje me dy paga nga 100 mijë lekë bruto, lehtësimi është zero. Ndërsa një i punësuar me pagë 300 mijë lekë bruto do të paguajë rreth 10 mijë lekë më pak tatim në muaj.
Kjo është zgjedhja politike e qeverisë Rama për lehtësimin e tatimit mbi pagat.
Qeveria e quan mbështetje për shtresën e mesme. Po dy prindërit që punojnë çdo ditë dhe mezi mbulojnë shpenzimet e shtëpisë, ku janë në këtë llogari? Çfarë mbështetjeje konkrete marrin për qiranë, ushqimet dhe rritjen e fëmijëve?
Shifrat e INSTAT-it ndër vite tregojnë se kostoja e ushqimeve dhe kostot e jetesës në tërësi janë rritur me 71% nga viti 2014 e deri më sot. Rritja e kostove ka ardhur ekskluzivisht si pasojë e politikave të socialistëve, që kanë abuzuar dhe shkatërruar si ekonominë, ashtu edhe kulturën e politikës fiskale në vend.
Në 14 vite të qeverisjes kanë ndryshuar mbi 40 herë ligjin për TAP dhe Tatim Fitimin. Kjo ka shkatërruar ardhmërinë ekonomike dhe kulturën e planifikimit, dhe më tej kanë zbrazur xhepat e shqiptarëve në biznes dhe në punë.
Prandaj, kur flasim sot për premtimin e uljes së TVSH-së te shporta e ushqimeve bazë, të cilën askush nuk e di dhe pak kush beson se do të lehtësojë sadopak, duhet të kemi parasysh se qeveria është mësuar të premtojë dhe më pas të gënjejë, duke deklaruar se nuk e ka bërë atë premtim.
Në fakt, arkitektura fiskale që ka ndërtuar qeveria dhe, më tej, rritja e TVSH-së për produktet e tjera në 21% ka gjasa të mos prodhojnë efektin e uljes së çmimeve. Struktura ekonomike e monopoleve dhe oligopoleve, e shoqëruar me kontrollet dhe sistemin e ligjeve që është ndërtuar me porosi dhe përjashtime fiskale, do ta zhbëjë edhe atë efekt të instaluar në mendjen e njerëzve.
Në një sistem të tillë, çmimi i naftës do të rritet, sepse TVSH-ja do të shkojë në 21% më shpejt sesa lista e ushqimeve do të zbresë në 6%, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e rritura. Atëherë, kush fiton nga e gjithë kjo? Pakica që sundon padrejtësisht. Ndërkohë që shumica e shqiptarëve do të paguajnë faturën e kripur të çmimeve që rriten.
Dhe e gjithë kjo, ndërsa zhvlerësimi i euros zhvlerëson remitancat, mbyll fabrikat dhe fundos bujqësinë, duke i dhënë fitore vetëm një pakice të pandershme që ka ngritur sistemin e padrejtë ndaj shumicës.
Tani marrim pensionistin.
Përpara se të bëjmë llogarinë, të kemi parasysh diçka shumë thelbësore. Në vitin 2015, qeveria shqiptare ndërmori një reformë pensionesh. Kryeministri Rama, asokohe në krahun e ish-benjaminit të tij, Erion Veliajt, u angazhua për një reformë pensionesh që do të nderonte dhe respektonte pensionistët. Gjithashtu, u angazhua që kjo reformë do të ulte deficitin e pensioneve dhe se qeveria nuk do të përfshihej në bonuse, pasi formula ishte e saktë.
Një dekadë pas kësaj reforme, pensionistët janë më të varfërit dhe me fuqinë blerëse më të ulët në rajon. Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur.
Pensioni shqiptar është më i ulëti në rajon dhe, kur llogaritet me fuqinë blerëse, diferenca rritet më tej. Arsyeja është se Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon dhe ushqimi kushton sa mesatarja e BE-së. Një pensionist në Shqipëri blen me pensionin e tij 2.4 herë më pak se një pensionist në Serbi dhe 3 herë më pak se një në Mal të Zi. Nëse merren vetëm çmimet e ushqimit, fuqia blerëse e pensionit shqiptar është 182 PPS, kundrejt 438 në Serbi dhe 612 në Mal të Zi.
Pensionisti ynë blen tre herë më pak se ai malazez dhe 2.4 herë më pak se ai serb. 38% e të moshuarve tanë nuk kanë mundësi për gjërat bazë, kurse në BE janë 5%.
Për të kuptuar plotësisht se sa ky buxhet i pritshëm do të ndikojë në jetët e pensionistëve, le t’i hedhim një sy asaj që përgjithësisht mund të blejë një pensionist.
Kam marrë një pensionist që jeton vetëm në shtëpinë e vet dhe e kam krahasuar me pensionin mesatar të pleqërisë, 20 003 lekë pas indeksimit të tetorit 2026. Ai do të shpenzojë 63% të të ardhurave të tij për ushqime, 13% për ujë e drita dhe 15% për shpenzimet e tjera të higjienës personale. Në fund të muajit, pas gjithë llogarive, atij i mbeten 238 lekë në muaj.
Me pak fjalë, pensionisti nuk do të ketë mundësi që nipërve apo mbesave t’u bëjë një dhuratë për ditëlindje apo fundvit. Pas një jete pune, nuk ka mundësinë që të ketë një të ardhur të drejtë.
Pastaj është familja që jeton nga biznesi i vogël.
Pragu i regjistrimit në TVSH ulet nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Sipas relacionit të qeverisë, kjo fut në skemë rreth 17 mijë e 500 biznese, prej të cilave shteti pret 4,5 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Merrni një aktivitet që qarkullon 6 milionë lekë në vit. Nga kjo shumë paguhen furnitorët, qiraja, punonjësit dhe detyrimet. Vetëm ajo që mbetet mban familjen e pronarit.
Kjo është një fashë e cila është shtresë e mesme. Që të kuptohemi, shtresë e mesme nuk janë vetëm ata që kanë një pagë të mirë në bankë apo në sektorët e tjerë të ekonomisë. Përkundrazi, ka plot nga shtresa e mesme dhe profesionistë të lirë që kanë hapur biznese dhe sipërmarrje.
Në fakt, shtresa e mesme është goditur më fort se të gjithë në këtë buxhet. Me sa duket, armiqësia e kryeministrit me ata që fituan betejën kundër taksimit të pandershëm të profesionistëve të lirë është reale.
Vendosja e TVSH-së te bizneset me 5 milionë lekë do të varfërojë ata që janë formalizuar, ndërkohë që pjesa tjetër do të gjejë shtigje për t’i ikur shtetit dhe një sistemi që punon kundër tyre.
Kostot e atyre që kanë hyrë në TVSH do të shtohen, sepse do t’u duhet të marrin një kontabilist, pa llogaritur rritjen e TVSH-së në 21% dhe ngarkesat e tjera fiskale të qeverisë.
Si këmbim, nuk duket se shqiptarët do të marrin më shumë. Siç edhe kemi parë në buxhet, shërbimet e shëndetësisë dhe barnave po përgatiten të jepen me një monopol te oborrtari i radhës, përmes skemës KAYO në shëndetësi.
Me pak fjalë, një ishull paligjshmërie që nuk kontrollohet nga askush, por që do të menaxhojë, nga njëra anë, miliarda lekë të taksave të qytetarëve dhe, nga ana tjetër, monopolin e barnave dhe jo vetëm në spital, por në fund edhe jetën e shqiptarëve.
Ajo që sot po shohim nuk është aspak e rastësishme. Ndryshe nga socialistët në pushtet, ajo që shohim sot është jetëzimi i ndryshimeve që kjo shumicë dhe qeveri kanë ndërmarrë që një dekadë më parë, kur miratuan së pari paketën fiskale socialiste, buxhetin e parë me PPP-të dhe koncesionet që sot po dëshmojnë se si janë vjedhur në dosjet e SPAK-ut, por edhe ligjet me porosi që kanë kthyer Shqipërinë në një shtet të kapur nga interesat e pakicës.
Ky sistem ka ndryshuar 92 herë taksat në vend, duke mbledhur po aq sa përpara vitit 2013.
Sot nuk është rastësi që jemi vendi më i varfër në rajon dhe Europë. Kriza e Shqipërisë nuk është te qytetarët, por te një qeveri që punon, mendon dhe lufton për një pakicë. Te një sistem që drejtohet nga kryeministri, ndërsa shqiptarët paguajnë faturën e tekave të tij.
Për ta mposhtur këtë sistem, për t’u dhënë jetë shqiptarëve të lodhur nga kjo qeverisje dhe kryeministri, ka vetëm një rrugë: largimi i tij. Shqipëria nuk mund të jetë pengu i një njeriu që kërkon pushtetin personal me çdo kusht.
Na duhet të ndërtojmë një shtëpi për fëmijët tanë. Na duhet një Shqipëri europiane, ndërsa ai kërkon një Shqipëri nën pushtetin e tij.
The post Tabaku kritikon paketën fiskale 2027: Nuk lehtëson familjet, shumica e shqiptarëve do të paguajnë faturën e kripur appeared first on GIJOTINA.