Kryeministri Edi Rama mbledh sot Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, në një takim që pritet të ketë në fokus riorganizimin e strukturave partiake dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 11:00, në ambientet e “Xibrakut”, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse takimi do të jetë tërësisht me dyer të mbyllura.
Por përtej përgatitjeve elektorale, mbledhja pritet të shërbejë si një tjetër hap i operacionit të Ramës për të marrë nën kontroll të plotë Partinë Socialiste në kryeqytet, duke riformatuar strukturat dhe duke larguar personat që konsiderohen jashtë vijës së tij politike.
Sipas informacioneve, kryeministri ka vendosur të rindërtojë nga e para organizimin e PS-së në Tiranë. Në fokus të këtij procesi janë edhe anëtarët e strukturave që kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë, për të cilët është paralajmëruar përjashtimi nga partia. Një vendim i tillë, nëse zbatohet, do të shënonte një tjetër përshkallëzim të përplasjes brenda socialistëve.
Kjo mbledhje vjen vetëm pak ditë pas takimit që Rama zhvilloi me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve në Kryeministri, ku u diskutua organizimi elektoral dhe mobilizimi i strukturave për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ndërkohë, një tjetër mbledhje e Asamblesë së Përgjithshme u zhvillua më 14 nëntor në Gjirin e Lalzit, ku Rama shkarkoi Erion Veliajn nga drejtimi i PS-së së Tiranës dhe kërkoi mobilizimin e socialistëve për betejën e vitit 2027. Në drejtimin organizativ të strukturave të kryeqytetit u caktuan Ervin Demo dhe Albana Koçiu.
Riorganizimi pritet të prekë edhe drejtuesit e njësive elektorale. Në listën e re nuk pritet të jenë Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca. Ndërsa Spiropali është mënjanuar prej kohësh nga drejtimi politik në Tiranë, përplasja më e fortë e Ramës duket se ka qenë me Ndrecën, për shkak të ndikimit të tij në zonat e Astirit dhe Yzberishtit.
Sipas burimeve, kryeministri i ka kërkuar llogari ish-deputetit për qëndrimin ndaj Erion Veliajt dhe mbështetjen që, sipas pretendimeve të Ramës, ai ka vijuar t’i japë kryebashkiakut. Në vend të Ndrecës pritet të caktohet ministri i Financave, Petrit Malaj, si i deleguar në një nga zonat më të rëndësishme elektorale të kryeqytetit.
Në këtë proces përfshihen edhe drejtuesit e njësive administrative, disa prej të cilëve janë larguar nga funksionet në Bashkinë e Tiranës, por Rama kërkon që ata të mos braktisin pozicionet partiake.
Pas mbledhjes së sotme, kryeministri pritet të vijojë takimet me punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues të administratës, ku do të diskutohet edhe qëndrimi ndaj personave që kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë.
Me zgjedhjet vendore të vitit 2027 në horizont, Rama duket se e ka kthyer Tiranën në prioritetin kryesor politik. Përpara përballjes me opozitën, kryeministri po tenton të eliminojë çdo vatër kundërshtimi brenda PS-së dhe të ndërtojë një strukturë që i përgjigjet drejtpërdrejt drejtimit të tij.
The post Rama mbledh sot Asamblenë e PS-së në Tiranë, nis “gjuetia” ndaj mbështetësve të Veliajt appeared first on GIJOTINA.