Berisha premton: Ne do përgjysmojmë taksat dhe do të rrisim pagat deri në 50%

Përgjysmimi i taksave, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe transparenca për investimet publike janë disa nga angazhimet që kreu i PD-së, Sali Berisha, paraqiti gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale.

Në përgjigje të pyetjes se ku do të sigurohen fondet për pensionet, Berisha deklaroi se do të reduktojë shpenzimet për investimet nga 2.2 miliardë në 800 milionë euro, duke orientuar 1.4 miliardë euro drejt pagave dhe pensioneve, ndërsa premtoi rritje të tyre me të paktën 50% në vitin e parë.

Pyetje: Doktor, ju keni propozuar një fond prej 700 milionë eurosh për pensionet dhe pension minimal prej 200 euro. Nga do të sigurohen konkretisht këto para dhe cilat shpenzime të buxhetit do të reduktoni për ta realizuar këtë premtim?

Berisha: Unë të falënderoj për pyetjen.

Para se të përgjigjem direkt, le të bëjmë bashkë një analizë të shkurtër të investimeve në vitet 2005-2013 me investimet e 14 viteve të Edi Ramës.

Në 2005-2013 u ndërtuan 11,000 kilometra rrugë. Nga Hani i Hotit në Gjirokastër, nga Tirana në Morinë. Tirana u bashkua me Elbasanin me tunelin, nga Levani në Tepelenë, nga Gjirokastra në Tepelenë, nga Levani në Vlorë, nga Orikumi në Ksamil.

U ndërtua mbi 50% e Rrugës së Arbrit, u ndërtua pothuajse gjysma e rrugës Korçë-Kolonjë, u ndërtua rruga Korçë-Qafë Plloçë.

U ndërtua rruga Peshkopi-Kukës, nga Kalaja e Dodës.

U ndërtuan pra mijëra e mijëra kilometra të tjera rrugë.

U ndërtuan 1300 shkolla dhe objekte arsimore, u ndërtuan 700 vepra kanalizimesh dhe ujësjellësa, 400 qendra shëndetësore dhe spitale.

Të garantoj që janë ndërtuar me një të tretën e shumës që këta pretendojnë se kanë investuar në 14 vite.

Më thuaj çfarë kanë ndërtuar në 14 vite? Kanë përfunduar disa rrugë të mbetura në mes, Rrugën e Arbrit, 10 kilometra në rrugën Dragobi-Valbonë, 10-15 kilometra rruga Bogë-Qafë Thore-Theth, disa kilometra rruga Leqet e Hotit-Tamarë-Vermosh.

Pra, janë përfunduar disa rrugë dhe nuk kanë ndërtuar gjer sot, përveç rrugës Limuth-Thumanë, asnjë rrugë tjetër.

Dhe të gjitha rrugët e tyre janë shembur.

Investimet janë shumë e shumë miliardë më shumë sesa tonat, por problemi është se këta i vjedhin, siç thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, i vjedhin 90%.

Këtu do i gjej paratë për të gjitha.

Nuk investoj unë 2.2 miliardë siç thonë këta. Jo. Do investoj 800 milionë dhe do u them shqiptarëve ja ku janë 800 milionë që po investoj.

Çfarë do bëj me të tjerat? Me 1 miliard e 400 milionë unë do t’i kthej në rroga e pensione. Do të bëj që shqiptarët të ndjehen të përfillur, të ndjehen jo të mëkëmbur, nuk them se do pak kohë ajo, por të kenë shpresë se do jenë qytetarë të mëkëmbur.

Më fal një minutë se po më vjen keq tani që po e personalizoj, a nuk u kujtohet ju kur unë ika nga pushteti në ’97-ën, çfarë thoshte populli? Sali bollëku thoshte, nuk e mohon dot kush këtë.

Por çfarë bollëku ishte ai? Sepse të ardhurat për frymë në atë kohë ishin 800 dollarë, por problemi është se ato ishin rritur, dyfishuar çdo vit dhe kishin ngjallë shpresë tek shqiptarët.

Po në vitet 2005-2008 shqiptarët u bënë qytetarët më të paguar në rajon.

Dhe absolutisht prapë do jenë sepse Shqipëria është më e pasur se çdo vend i rajonit.

Ju lutem referojuni Grupit të Bostonit, një grup jashtëzakonisht prestigjioz, i cili studion shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët.

Ku qëndronte Shqipëria? Shqipëria renditej e katërta në botë. Shiheni pak ku renditej Shqipëria në vitin 2020. Shqipëria zbriti e 74-ta në botë.

Ndaj dhe problemi është se nuk është se mungojnë paratë, por problemi është se qytetarët shpërfillen, qytetarët nuk vlerësohen.

Rrogat e larta u rritën, këtu janë më të lartat në Ballkan.

Ndaj zotëri ju garantoj se vitin e parë rritja do jetë së paku 50%.

Mund të thosha edhe më shumë, por nuk them më shumë.

Pse?

Sepse do ulen taksat. Ne jemi parti e taksave të ulëta. Ne nuk pranojmë kurrë të vjelim 10 miliardë euro nga qytetarët më të varfër të Ballkanit.

Jo, ne do përgjysmojmë taksat.

The post Berisha premton: Ne do përgjysmojmë taksat dhe do të rrisim pagat deri në 50% appeared first on GIJOTINA.