4 ndeshje radhazi pa fitore dhe deklarata “bombë” nga presidenti Bardhi! Edhe Ilir Daja në “fije të perit”

Humbja e sotme kundër Elbasanit në transfertë e ka rënduar edhe më tepër situatën te Dinamo në Superiore. Katër ndeshje pa fitore radhazi në kampionat, ndërsa aktualisht kanë zbritur në vendin e katërt, shumë larg objektivit madhor, titullit kampion.

Pas kësaj disfate, presidenti i dinamovitëve, Adrian Bardhi, nuk duroi dot më, duke reaguar përmes postimit të klubit në rrjetet sociale, ku shkruhej:

“Kjo nuk është Dinamo dhe kjo paraqitje është e papranueshme! Fanella legjendare e këtij klubi kërkon sakrificë, karakter dhe uri për fitore.

Jeni ndër më të paguarit në Shqipëri, në klubin më korrekt, por në fushë nuk po i përgjigjeni as besimit, as sakrificës sonë.

Nuk ka më justifikime! Kush nuk e ndien këtë fanellë dhe nuk jep gjithçka për të, lojtar apo pjesëtar i stafit, të largohet që nesër. Dinamo nuk mban askënd me zor!”

Pikërisht dy fjalët e fundit në postimin e mësipërm prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe trajnerin, Ilir Daja. Edhe pse ka dy vite në “timonin” e Dinamos, trajneri 60-vjeçar ende nuk është afruar dot sa duhet, e jo më ta fitojë kampionatin.

Por kjo situatë e fundit, pa zgjidhje prej katër takimesh të njëpasnjëshme, e ka “rrëzuar për tokë” besimin e presidentit Bardhi si ndaj lojtarëve, ashtu edhe stafit.

Priten me shumë interes zhvillimet te “blutë” e kryeqytetit, ku “shkëndijat” e para sapo janë ndezur.

The post 4 ndeshje radhazi pa fitore dhe deklarata “bombë” nga presidenti Bardhi! Edhe Ilir Daja në “fije të perit” appeared first on GIJOTINA.