Konfiskohen 16 milionë euro prona në Vlorë, u përfituan me dokumente të falsifikuara

Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e “Ujit të Ftohtë”, në Vlorë.

Bëhet fjalë për prona që lidhen me një sipërfaqe fillestare prej 32 mijë metrash katrorë, për të cilën hetimet kanë zbuluar se është përfituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.

Në qendër të çështjes është Pëllumb Petritaj, i cili është dënuar me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara janë të lidhura me Kutbi Shehun, Ramis Shehun dhe Merjeme Shehun, familjarë të Artur Shehut.

Sipas Prokurorisë, hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 946/2015 kanë zbuluar se gjatë proceseve gjyqësore dhe procedurave administrative për njohjen dhe kthimin e një prone prej 32 mijë metrash katrorë në zonën e “Ujit të Ftohtë”, është përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.

Pas përfitimit dhe regjistrimit të pronës në vitin 2009, janë kryer një sërë veprimesh juridike për ndarjen dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë. Sipas organit të akuzës, këto veprime synonin fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurisë.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Pëllumb Petritaj u dënua me 7 vite burgim, ndërsa gjykata, me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, vendosi konfiskimin e pronës fillestare me sipërfaqe 32.000 m2 e regjistruar në vitin 2009 në favor të shtetasve Kutbi Shehu, Merjeme Shehu dhe Ramis Shehu si dhe të gjitha pasurive që rrjedhin dhe derivojnë prej kësaj pasurie, konkretisht:

Njoftimi:

Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri të paluajtshme tek ‘Uji i Ftohtë’, të përfituar me dokumente të falsifikuara

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit 16 milionë euro pasuri të paluajtshme të shtetasit P.P., i akuzuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 187/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procesimin penal nr.946/2015, rezultoi se në proceset gjyqësore dhe procedurat administrative për njohjen dhe kthimin e një pasurie 32.000m2 në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’, Vlorë u përdor një vendim gjyqësor i falsifikuar. Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se pas përfitimit dhe regjistrimit të kësaj pasurie, janë kryer veprime juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të saj.

Në përfundim të hetimeve shtetasi P.P. u dënua me 7 vite burgim dhe me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë dhe vendimin e gjykatës, u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:

– Pasuri e paluajtshme me sipërfaqe 32.000 m2 e regjistruar në vitin 2009 në favor të shtetasve K.Sh., M.Sh. dhe R.Sh. si dhe të gjitha pasurive që rrjedhin dhe derivojnë prej kësaj pasurie, konkretisht:

– Pasuria e paluajtshme nr.431;
– Pasuria e paluajtshme nr.404;
– Pasuria e paluajtshme nr.311;
– Pasuria e paluajtshme nr.312;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263 me sipërfaqe 23.363m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.264 me sipërfaqe 1000 m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.361 me sipërfaqe 7932 m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263/1 me sipërfaqe 1126.13 m2; dhe
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.108 me sipërfaqe 7637 m2

The post Konfiskohen 16 milionë euro prona në Vlorë, u përfituan me dokumente të falsifikuara appeared first on GIJOTINA.