Besart Xhaferri ka njoftuar përfundimin e detyrës së tij si kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), duke i hapur rrugë një procesi të ri organizimi dhe ripërtëritjeje të strukturave rinore të kësaj force politike.
Drejtimi tranzicional i forumit do t’i kalojë Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Fatjon Bathorja, i cili do të marrë përsipër koordinimin e procesit të riorganizimit në të gjithë Shqipërinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaferri bëri të ditur se grupi i punës i ngritur nga FRPD, nën drejtimin e Bathorjas, do të udhëheqë procesin që do të nisë nga degët lokale dhe do të përfundojë me zgjedhjen e drejtuesve të rinj kombëtarë të forumit.
Në këtë proces parashikohet të përfshihet zgjedhja e Kryetarit Kombëtar të FRPD-së, Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe departamenteve.
“Një kapitull mbyllet, por rrugëtimi dhe beteja jonë vazhdojnë! Sot, Forumi Rinor i Partisë Demokratike nis një etapë të re të organizimit dhe ripërtëritjes së tij!”, shkruan Xhaferri.
Ai thekson se grupi i punës do të marrë përsipër organizimin e të gjitha strukturave të forumit në shkallë vendi, nga degët lokale deri te organet drejtuese kombëtare.
“Grupi i punës i ngritur nga FRPD, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja, merr përsipër organizimin dhe drejtimin e procesit të ripërtëritjes së të gjitha strukturave të Forumit Rinor në mbarë Shqipërinë, nga degët lokale te zgjedhja e Kryetarit Kombëtar, Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe departamenteve”, shprehet ai.
Xhaferri bëri të ditur gjithashtu se me nisjen e kësaj etape përfundon edhe detyra e tij në krye të forumit, ndërsa drejtimi i përkohshëm i kalon Bathorjas.
“Nga dita e sotme, përfundon edhe detyra ime si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ndërsa drejtimi tranzicional i kalon Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja”, vijon ai.
Në pjesën tjetër të reagimit, ish-kreu i FRPD-së u ndal te marrëdhëniet e krijuara gjatë drejtimit të forumit, duke theksuar se largimi nga posti nuk nënkupton shkëputje nga struktura dhe njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar.
“Sot largohem nga drejtimi i FRPD-së, por jo nga kjo familje, jo nga miqtë e mi dhe aq më pak nga beteja jonë e përbashkët.
Do të jem gjithmonë në krah të tyre, ashtu siç ata kanë qenë në krahun tim”, shkruan Xhaferri.
Ai theksoi se ndryshimi i funksioneve nuk prek, sipas tij, bindjet dhe idealet që e kanë shoqëruar gjatë angazhimit politik.
“Detyrat ndryshojnë, përgjegjësitë ndryshojnë, por idealet dhe miqësitë e vërteta mbeten përgjithmonë!”, shprehet ai.
Në fund të mesazhit, Xhaferri iu referua edhe sfidave politike që, sipas tij, e presin vendin, duke e lidhur angazhimin e tij të mëtejshëm me të ardhmen e Shqipërisë dhe orientimin europian.
“Sfidat që kemi përpara janë të mëdha. Por janë sfida që nuk kemi luksin t’i humbasim. Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për fatin e një partie apo të një brezi politikanësh. Bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë, për lirinë, demokracinë dhe ëndrrën europiane për të cilën të parët tanë dhanë rininë, sakrificat dhe jetën e tyre!”, përfundon Xhaferri.
Me këtë vendim, FRPD hyn në një fazë riorganizimi të strukturave të saj, ndërsa pritet që procesi i drejtuar nga Fatjon Bathorja të përcaktojë përbërjen e re drejtuese të forumit rinor demokrat.
The post Besart Xhaferri largohet nga drejtimi i FRPD-së appeared first on GIJOTINA.