Kushtet e përkeqësuara hidrometeorologjike në detin e Vlorës kanë sjellë kufizime për lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit. Sipas njoftimit të autoriteteve detare, duke nisur nga ora 08:00 e kësaj të mërkure, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet që synojnë të lundrojnë jashtë Gjirit të Vlorës, në det të hapur. Kufizimi do të jetë në fuqi deri në orën 06:00 të datës 19 nëntor.
Parashikimet meteorologjike bëjnë me dije se era do të fryjë nga drejtimi jug-jugperëndim me forcë 6-7 ballë, me shpejtësi 15-20 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve pritet të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra. Autoritetet u kanë kërkuar subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari detare të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve, me qëllim shmangien e situatave emergjente. Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht, sipas destinacioneve përkatëse.
Njoftimi
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës gjatë datave 18-19.11.2026, ku duke filluar nga ora 08:00 e datës 18.11.2026 pritet erë në drejtimin JUG-JUGPERËNDIM me forcë deri 6-7 bft, shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra, ju njoftojmë si më poshtë :
1. Është ndaluar pajisja me leje nisjeje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës (në det të hapur), duke filluar nga ora 08:00 e datës 18.11.2026, deri në orën 06:00 të datës 19.11.2026.
2. Me qëllim parandalimin e çdo rreziku apo situate emergjente për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
3. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 19.11.2026.
The post Përkeqësohet moti, ndalohet lundrimi për mjetet e vogla dhe peshkarexhat në Vlorë appeared first on GIJOTINA.