Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, ku në qendër të diskutimeve do të jetë projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, të cilat kanë marrë më herët miratimin në komisionet parlamentare.
Seanca pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pasi opozita do të përfaqësohet me një numër të reduktuar deputetësh. Në total, 13 ligjvënës të Partisë Demokratike janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit, mes tyre kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Një ditë përpara seancës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të votojë kundër projektbuxhetit të vitit 2027.
Sipas Berishës, buxheti është hartuar tërësisht në fshehtësi dhe pa konsultime. Ai shprehu kundërshtime edhe për paketën fiskale, duke pretenduar se masat e parashikuara janë në dëm të qytetarëve, biznesit të vogël dhe investimeve të huaja.
Projektbuxheti i vitit 2027, sipas të dhënave të paraqitura, kap vlerën e 10 miliardë lekëve. Pas miratimit në parim në seancë plenare, dokumenti financiar do të rikthehet në komisionet parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të kalojë sërish në Kuvend për votimin përfundimtar.
Përveç projektbuxhetit, deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshimet e propozuara në disa ligje që lidhen me tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës përfshihen gjithashtu ndryshimet në ligjin për strehimin social, si dhe një projektvendim që lidhet me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Rendi i ditës së seancës plenare:
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 29.10.2026.
Njoftime.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar”.
Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit ‘Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë’”.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
The post Kuvendi mblidhet sot për Buxhetin 2027 dhe paketën fiskale, PD paralajmëron votën kundër appeared first on GIJOTINA.