Deputeti Saimir Korreshi ka ironizuar mbështetjen e parashikuar për bujqësinë në projektbuxhetin e vitit 2027, duke e krahasuar shumën që përfiton një fermer me çmimin e një pale çizmesh në muaj.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, Korreshi u ndal te fondi prej 5.3 miliardë lekësh për transfertat ndaj përfituesve, duke iu referuar të dhënave të relacionit të qeverisë, sipas të cilit parashikohet të përfitojnë 43 666 fermerë në vitin 2027.
Sipas përllogaritjeve të tij, kjo shumë përkthehet në rreth 10 mijë lekë në muaj për fermer, ose ndryshe, sipas tij, një palë çizme.
“Relacioni qeveritar, në faqet 21 dhe 22, thotë se parashikohet të përfitojnë 43 666 për vitin 2027. I bëra një llogaritje dhe del 142 mijë lekë për kokë në muaj, 10 mijë lekë, një palë çizme. Një palë çizme do të marrë fermeri në muaj, me shifrat tuaja, me 5.3 miliardëshin”, u shpreh Korreshi.
Në fjalën e tij, Korreshi ironizoi edhe fondet e dhëna për pagat në bashki, duke pretenduar se për ta është akorduar një shumë 12 herë më e lartë se ajo për rrugët.
“Hajde o Petrit, hajde o vëlla, hajde! Me këto lekë që ke dhënë për këto kanalet, se për rroga i ke dhënë 12-fish më shumë sesa për rrugë, i ke dhënë për rroga bashkish, e ke taksative. 120 me 10, iku kjo. Patronazhimi gati, do të marrin punë me kontrata provizore për zgjedhjet bashkiake”, tha ai.
Më tej, deputeti u ndal te gjendja e Spitalit të Lushnjës, duke paraqitur pamje nga ambientet e brendshme me lagështirë dhe mungesën e kushteve apo paisjeve.
“Urdhëro skaneri i spitalit të Lushnjës. Me biçikletë ka hyrë brenda. Ja, kazanë, kusi, tulla, presh, i ke të gjitha te skaneri i Lushnjës. Me biçikletë, burri huj, se ku ta lërë ai. Në Lushnjë hyjnë akoma me biçikletë.
Tjetër, urdhëro, ne shkojmë për t’u vizituar në spitalin e Lushnjës, te pneumologu. Ai ishte sëmurë vetë nga myku që ka atje. Tha unë jam për ilaçe, pompë për vete. Tjetra, te pediatria, me legen, me kusi me vete, se pikon tavani. Urdhëroni (tregon pamjet), sepse nuk ka as ujë të pijshëm”, u shpreh deputeti.
The post Buxheti për bujqësinë/ Ironizon Korreshi: Sa një palë çizme në muaj për fermerët appeared first on GIJOTINA.