Shorti i eliminatoreve të Euro 2028 hidhet të dielën, më 6 dhjetor, në orën 18:00, në Belfast. Prej tij do të përcaktohen 12 grupet kualifikuese: gjashtë me nga katër skuadra dhe gjashtë të tjera me nga pesë përfaqësuese. Ndeshjet do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2027.
Sipas rregullores së UEFA-s, 12 ekipet e vazos së parë përcaktohen në bazë të renditjes së përkohshme të Ligës së Kombeve dhe jo klasifikimit të FIFA-s. Në këtë mënyrë, Italia shmang përballjen që në short me disa prej kombëtareve më të forta të kontinentit, si Spanja, Anglia, Franca, Belgjika, Gjermania, Portugalia, Holanda, Kroacia, Danimarka, Norvegjia dhe Greqia.
Shqipëria dhe Kosova
Me përfundimin e Ligës së Kombeve, Shqipëria është pozicionuar në vazon e tretë për shortin e eliminatoreve të Euro 2028. Kjo do të thotë se kuqezinjtë do të shmangin vetëm përballjet me skuadrat e tjera që ndodhen në të njëjtën vazo.
Për Kosovën, situata është më e komplikuar, pasi gjithçka do të vendoset nga rezultati i ndeshjes së sotme kundër Irlandës. Nëse dardanët arrijnë të ruajnë vendin e dytë në grup, do të pozicionohen në vazon e dytë dhe, për rrjedhojë, mund të shortohen në të njëjtin grup me Shqipërinë. Në rast humbjeje ndaj Irlandës, Kosova do të zbresë në vazon e tretë, ku ndodhet edhe përfaqësuesja kuqezi.
Rregulla të veçanta për katër vendet organizatore
Një tjetër veçori e Euro 2028 lidhet me katër vendet organizatore: Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Republikën e Irlandës. Meqenëse të gjitha nuk mund të përfitojnë automatikisht një vend në turne, ato do të marrin pjesë normalisht në eliminatore, në grupe të ndryshme. Megjithatë, UEFA u ka rezervuar dy vende në fazën finale, në rast se nuk arrijnë të kualifikohen drejtpërdrejt.
Nga 24 biletat për turneun, 20 do të ndahen nëpërmjet eliminatoreve: 12 fituesit e grupeve dhe tetë vendet e dyta më të mira. Katër vendet e mbetura do të varen nga rezultatet e vendeve organizatore.
Nëse të paktën dy prej organizatorëve kualifikohen drejtpërdrejt, do të zhvillohen normalisht katër play-off-et. Nëse vetëm njëri siguron kualifikimin, një tjetër do të përfitojë automatikisht një vend, duke lënë tri bileta për t’u diskutuar në play-off. Ndërsa në rast se asnjëra nuk kualifikohet, dy vende do të rezervohen për organizatorët dhe vetëm dy të tjera do të mbeten në dispozicion përmes fazës shtesë.
Në varësi të skenarit, në play-off mund të marrin pjesë tetë ose 12 kombëtare, me gjysmëfinale dhe finale me nga një ndeshje, ose me përballje vajtje-ardhje kur të jenë në lojë katër vende.
Euro 2028, datat dhe formati i turneut
Kampionati Europian do të zhvillohet nga 9 qershori deri më 9 korrik 2028. Ndeshja hapëse do të luhet në stadiumin kombëtar të Uellsit, në Kardif, ndërsa gjysmëfinalet dhe finalja do të zhvillohen në “Wembley”, në Londër.
Formati do të jetë i njëjtë me atë të përdorur që nga Euro 2016. Në fazën finale do të marrin pjesë 24 kombëtare, të ndara në gjashtë grupe. Dy skuadrat e para të çdo grupi, së bashku me katër ekipet e treta me rezultatet më të mira, do të kalojnë në fazën e 1/8-ave, përpara se turneu të vazhdojë me eliminim direkt.
The post Shqipëria në vazon e tretë, si funksionon shorti i kualifikueseve të Euro 2028? appeared first on GIJOTINA.