Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor Hashim Thaçin për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë. Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj tij një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit e tij dyshohet se janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë në vitin 2023, u ka dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Akuzat përfshijnë pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre
Dënimi prej 17 muajsh i shtohet dënimit prej 25 vitesh burg, që ish-presidenti i Kosovës ka marrë disa muaj më parë.
Në të njëjtin rast, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim. Megjithatë, të dy do të lirohen pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ua mbulon dënimin.
Ndërkaq, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për akuzat ndaj tij dhe gjyqtari ka urdhëruar lirimin e tij pas përfundimit të seancës.
Ndërsa Hajredin Kuçit i është shqiptuar një muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
The post Haga shpall fajtor Hashim Thaçin për pengim të drejtësisë, i shtohen edhe 17 muaj burg appeared first on GIJOTINA.