Debat te ‘Ekonomia’, Braçe kërkon ndëshkimin e protestuesve, Cara: Merrni masa për hajdutët tuaj që vjedhin miliona

Dëmet e shkaktuara gjatë protestave në Tiranë kanë nxitur debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Deputetët Erion Braçe, Igli Cara dhe Milva Ekonomi kanë shkëmbyer akuza për përgjegjësinë mbi dëmtimin e bizneseve dhe infrastrukturës publike, si dhe për trajtimin e protestuesve të lënduar gjatë përplasjeve me policinë.

Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi që autoritetet të identifikojnë dhe të ndëshkojnë personat përgjegjës për dëmet e shkaktuara gjatë protestave në kryeqytet. Ai theksoi se e drejta për të protestuar garantohet me ligj, por nuk duhet të shoqërohet me dhunë ndaj bizneseve, pronës private apo infrastrukturës publike.

Braçe ngriti shqetësimin për dëmtimin e semaforëve dhe vonesat në rikuperimin e infrastrukturës së Tiranës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin dhe normalizimin e situatës. Ai propozoi gjithashtu përdorimin e fondit rezervë për përballimin e dëmeve, ndërsa këmbënguli që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Qëndrimin e tij e kundërshtoi deputeti demokrat Igli Cara, i cili akuzoi mazhorancën për standarde të dyfishta. Cara kërkoi që, krahas bizneseve të dëmtuara, shteti të dëmshpërblejë edhe qytetarët që, sipas tij, kanë pësuar dëmtime nga ndërhyrjet e policisë gjatë protestave.

Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe vonesat në procesin e rindërtimit, bonuset e qirasë dhe largimin e qytetarëve nga vendi. Ai kritikoi qeverinë se po përqendrohet te pasojat materiale të protestave, pa trajtuar, sipas tij, shkaqet që i kanë nxitur ato.

Në debat ndërhyri edhe deputetja socialiste Milva Ekonomi, e cila theksoi se legjislacioni parashikon mekanizma për identifikimin dhe ndëshkimin e personave që shkaktojnë dëme gjatë tubimeve.

Ekonomi deklaroi se gjatë protestave janë lënduar si punonjës të policisë, ashtu edhe protestues, ndërsa siguroi se institucionet shëndetësore kanë ofruar trajtim për të gjithë të dëmtuarit. Ajo përmendi edhe rastin e një protestuesi të dëmtuar në sy, i cili, sipas saj, ka marrë trajtim në Itali me mbështetjen financiare dhe ndërhyrjen e shtetit.

Pjesë nga debati në Komisionin e Ekonomisë

Igli Cara: Të dëmshpërblehen bizneset por edhe të dëmtuarit nga represioni i qeverisë. Pse me dy standarde zoti Braçe.

Akoma nuk keni mbyllur bonusin e qerasë dhe Rindërtimin, keni gojë edhe të flisni. Sot shqiptarët po largohen dhe sipas INSTAT ka pakësim të frikshëm të qytetarëve.

Referoju fakteve para e të bësh politikë. Mos shihni shkakun por pasojën që është protesta. Nuk merrni masa për vjedhjen miliarda euro në buxhet dhe flisni për protesta. Po dëmin shëndetësor të protestuesve, për këmbët e thyera, për syrin e Erjon Vishkullit do të ketë akte normative për këto?

Erion Braçe: Protesta e drejtë e garantuar. Nuk mendoj që protesta është dhunë aq më tepër ndaj bizneseve dhe infrastrukturës publike, private dhe shtetërore. Një muaj rrugët e Tiranës janë pa semaforë. Nuk mund të paguajë Bashkia për çdo gjë, as ajo kompania në këtë rast. Pastrimi në qytet është jetik, nuk mund të presim përjetësisht për rikuperimin e infrastrukturës.

Siç përdorni fondin rezervë në raste të tjera, duhet përdorur edhe në këtë rast. A janë evidentuar ata që kanë shkaktuar dëme? Duhen futur në hullinë e ligjit dhunuesit. Kanë mbajtur përgjegjësi protestuesit por nuk kanë mbajtur nga ana e shtetit, qesh zotëria se e ka engledisje pasditen, por në bulevard janë vrarë njerëz me urdhër dhe nuk mban njeri përgjegjësi, sepse dhuna ngatërrohet me protestën.

Milva Ekonomi: Kemi kaluar disa ligje dhe disa ndryshime që dëmtuesi duhet të penalizohet dhe merr përgjegjësi për dëmin që shkakton. Regjistrat, gjobat, ndalimi nga policia janë instrumente që funksionojnë. Dua të shtoj që në protestat e dhunshme, janë dëmtuar më shumë policë dhe protestues, ndryshe nga vendet e tjera europiane.

Spitalet tona kanë qenë të hapura për të dëmtuarit si nga policët si nga protestuesit. Janë trajtuar si te Trauma ashtu edhe te Nënën Tereza. Djali që ka dëmtuar syrin në Itali shkoi me paratë dhe ndërhyrjen e shtetit, kjo tregon që shteti mori përgjegjësi mbrojtje, edhe pse djali ishte me vullnet të lirë me protestuesit. Kur je te dhuna duhet të tregosh kujdes sepse dhuna është e shkëmbyeshme.

The post Debat te ‘Ekonomia’, Braçe kërkon ndëshkimin e protestuesve, Cara: Merrni masa për hajdutët tuaj që vjedhin miliona appeared first on GIJOTINA.