Vendi ynë do të përfshihet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, ndërsa reshjet e shiut do të jenë prezente në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, pjesa e parë e ditës do të karakterizohet nga kthjellime të herëpashershme, ndërsa pas mesditës pritet shtim i vranësirave, të cilat do të bëhen mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut me intensitet të ulët do të nisin që në orët e para të ditës, duke përfshirë pjesën më të madhe të vendit. Ndërkohë, në veri, në ekstremitetin veriperëndimor dhe pjesërisht në zonën qendrore, pas mesditës reshjet pritet të intensifikohen, duke arritur intensitet mesatar.
Në disa zona nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike, si dhe reshje të rrëmbyeshme për periudha të shkurtra kohore.
Sa i përket temperaturave, vlerat minimale pritet të regjistrohen në Peshkopi, ku termometri do të zbresë në 6°C, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 23°C në qytetet jugore të vendit.
Edhe era do të jetë e pranishme, duke fryrë kryesisht nga drejtimi juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare 7 m/s. Herë pas here, ajo pritet të arrijë deri në 14 m/s, kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore.
Ndërkohë valëzimi në det parashikohet të jetë i forcës 2-4 ballë.
The post Parashikimi i motit për sot, 16 Nëntor 2026 appeared first on GIJOTINA.