PD: AKSHI nën hetim, por jep 40 mln euro për fiskalizimin me operatorë ku pronar është edhe Ermal Beqiri

PD ka ngritur akuza të forta ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke pretenduar se gjatë procedurave për projektin e fiskalizimit janë kryer shkelje në financimin, regjistrimin dhe administrimin e kontratave, ndërsa miliona euro para publike janë dhënë për shërbime që, sipas auditimeve, kanë shfaqur probleme të shumta.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se kontratat për fiskalizimin kapin në total rreth 40 milionë euro dhe se procedurat kanë shoqëruar me gara të dyshimta, përfitues të përsëritur dhe mangësi në zbatimin e shërbimit.

“Shqiptarët duhet të dinë se deri tani janë rreth 40 milionë euro nga paratë e tyre që shkojnë për kontrata problematike, me gara fiktive, operatorë të njëjtë me pronësi kroate, Ermal Beqirin”,– thotë Vangjeli.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Edhe pse është në proces hetimi, pak ditë më parë AKSHI njoftoi kontratën e radhës të lidhur për fiskalizimin.

Shqiptarët duhet të dinë se deri tani janë rreth 40 milionë euro nga paratë e tyre që shkojnë për kontrata problematike, me gara fiktive, operatorë të njëjtë me pronësi kroate, Ermal Beqirin etj.

Kontrata fillestare e vitit 2018: AKSHI i dha konsorciumit Jehona Software (sot Primus Albania), Neos dhe Datech kontratën nr. 6756, datë 27.11.2018, me vlerë 1.86 miliardë lekë pa TVSH (rreth 22 milionë euro me TVSH).

Primus Albania zotërohet nga Primus Adriatic, ku, sipas mediave kroate, raportohen si pronarë ortakë Hrvoje Čabrajić dhe Dinko Novoselec, persona të lidhur me presidentin kroat, mik dhe këshilltar i kryeministrit Edi Rama për periudhën 2017–2019. – Kontrata e dytë, e lidhur në shkurt 2023 për mirëmbajtjen e sistemit, u nënshkrua me Primus Albania dhe HORIZON, me vlerë rreth 8 milionë euro me TVSH (705.4 milionë lekë pa TVSH), për 24 muaj.

– Gjatë zbatimit të kontratës, në prill 2024, HORIZON sh.p.k. ndryshon pronësinë, e cila prej asaj kohe e deri tani rezulton 100% në emrin e Ermal Beqirit, i cili është gjithashtu nën hetim nga SPAK në dosjen e AKSHI-t.

– Kontratën e tretë të vitit 2026, me të njëjtin objekt, e fiton me 98% të fondit limit BOE Primus Albania, Datech dhe ADM, me vlerë rreth 9 milionë euro (paraqiti ofertë 757 milionë lekë pa TVSH).

Po çfarë produkti kanë marrë shqiptarët për gjithë këto para?

Sistemi i fiskalizimit u krijua për:

– Lëshimin dhe fiskalizimin elektronik të faturave.

– Transmetimin e të dhënave drejt administratës tatimore.

– Kontrollin e transaksioneve të bizneseve.

– Monitorimin e pagesave dhe reduktimin e informalitetit.

– Përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave tatimore.

Megjithatë, gjatë viteve të zbatimit, KLSH evidentoi qindra problematika teknike dhe mangësi në administrimin e mirëmbajtjes, konkretisht:

Projekti u financua përpara dorëzimit të plotë të dokumentacionit të investimit.

Kontrata u regjistrua fillimisht në Thesar vetëm për 170,025,887 lekë, jo për vlerën e plotë.

U pranua një garanci me afat vetëm njëvjeçar, megjithëse kontrata ishte katërvjeçare.

Më 5 dhjetor 2019, paradhënia e pambuluar nga garancia arriti në 141,688,239 lekë.

170,025,887 lekë u kontabilizuan gabimisht si investim kapital, duke deformuar artificialisht investimet e vitit 2018. – Sistemi dhe mirëmbajtja: KLSH evidentoi 368 probleme të sistemit gjatë viteve 2021–2022, mangësi në ndjekjen e ankesave dhe mungesë dokumentimi të plotë për zgjidhjen e tyre.

KLSH krahasoi mirëmbajtjen e kontratës së vitit 2018 me kontratën e vitit 2023.

– Mirëmbajtja në kontratën e vitit 2018 ishte 447,016,416 lekë pa TVSH.

– Mirëmbajtja e kontratës së vitit 2023 ishte 705,428,160 lekë pa TVSH, duke u rritur kështu me 258,411,744 lekë, ose rreth 57%.

Prova: Raporti i auditimit IT për DPT, f. 47–53; raporti i KLSH-së për mirëmbajtjen. A ka funksionuar produkti për të cilin janë paguar miliona euro?

Nga auditimi i KLSH-së u evidentuan probleme të pazgjidhura në administrimin dhe kontrollin e shërbimit, ndërsa, për më tepër, vetë Administrata Tatimore ka njoftuar edhe ndërprerje të aksesit në platformën qendrore gjatë vitit 2026. Ndaj është përgjegjësia e Prokurorisë së Posaçme të zbardhë zhvillimin e këtyre procedurave, që në total shkojnë rreth 40 milionë euro, para të shqiptarëve, të analizojë shërbimin e marrë në këmbim dhe përfshirjen e emrave të përfituesve të këtyre miliona eurove.

The post PD: AKSHI nën hetim, por jep 40 mln euro për fiskalizimin me operatorë ku pronar është edhe Ermal Beqiri appeared first on GIJOTINA.