Nga ekzekutimi i shqiptarit te vrasja e policit belg, çfarë i lidh dy atentatet që tronditën Brukselin?

Hetuesit belgë dyshojnë se personat që vranë një shtetas shqiptar pranë Parlamentit Evropian janë të njëjtët që, disa orë më vonë, qëlluan për vdekje një efektiv të policisë së Brukselit.

Sipas gazetës belge De Standaard dhe raportimit të HLN, të dyja ngjarjet ndodhën më 12 tetor, ndërsa hetimet kanë nxjerrë të dhëna të reja që i lidhin dy atentatet.

Vrasja e parë ndodhi rreth orës 17:50 në rrugën Wiertz, në komunën Ixelles, pranë ndërtesës së Parlamentit Evropian.

Tre ose katër persona dyshohet se qëlluan një shtetas shqiptar brenda hollit të një pallati banimi, duke e goditur me shtatë ose tetë plumba pistolete. Viktima ndërroi jetë në vend, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës.

Sipas raportimeve belge, shqiptari nuk kishte precedentë penalë në Belgjikë. Megjithatë, burime të cituara nga mediat vendase dyshojnë se vrasja lidhet me përplasjet mes grupeve të trafikut të drogës dhe mund të jetë kryer me pagesë.

Disa orë më vonë, një tjetër ngjarje ndodhi në komunën Jette të Brukselit.

Polici Nordine El Talbi, 41 vjeç, pjesë e njësisë kundër grabitjeve, po kërkonte së bashku me kolegët një automjet Volkswagen T-Cross, të cilin disa persona e kishin grabitur me dhunë në Tubize.

Rreth mesnatës, efektivët lokalizuan automjetin në bulevardin Carton de Wiart. Kur El Talbi iu afrua për të kryer kontrollin, personat brenda makinës hapën zjarr.

Një plumb e goditi policin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Prokurori i Brukselit, Julien Moinil, deklaroi se në automjet ndodheshin pesë persona, ndërsa njëri prej tyre qëlloi ndaj efektivit. Pas sulmit, autorët braktisën makinën, lanë pranë saj tri armë zjarri dhe u larguan në këmbë.

Fillimisht, Prokuroria e Brukselit deklaroi se nuk kishte të dhëna që lidhnin vrasjen e shqiptarit me atë të policit.

Por pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndryshuar drejtimin e hetimeve. Sipas mediave belge, hetuesit tashmë besojnë se pas të dyja vrasjeve qëndrojnë të njëjtët persona, megjithëse Prokuroria nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë përfundim.

Pas ngjarjeve, autorët e dyshuar u larguan nga Belgjika.

Policia arrestoi tre persona në Almería të Spanjës, ndërsa dyshohet se po përpiqeshin të udhëtonin drejt Marokut. Një tjetër i dyshuar u arrestua në një stacion hekurudhor në Paris.

Autoritetet spanjolle dhe franceze i kanë dorëzuar të katër personat në Belgjikë. Njëri prej tyre është i mitur.

Ndërkohë, policia belge arrestoi edhe dy persona në Bruksel. Gjykata liroi njërin për mungesë provash, ndërsa tjetri vijon të qëndrojë në paraburgim.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë banorë të Brukselit dhe njihen për përfshirje në aktivitetet e trafikut të drogës. Hetuesit kanë gjetur gjithashtu një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike në automjetin e grabitur.

Autoritetet belge po përpiqen të përcaktojnë motivin e vrasjes së shqiptarit, lidhjen e saj me grabitjen e automjetit dhe rrethanat që çuan në vrasjen e policit Nordine El Talbi.

Deri tani, Prokuroria nuk ka konfirmuar zyrtarisht se të dyja vrasjet janë kryer nga të njëjtët autorë.

The post Nga ekzekutimi i shqiptarit te vrasja e policit belg, çfarë i lidh dy atentatet që tronditën Brukselin? appeared first on GIJOTINA.