Media spanjolle ka zbardhur detaje nga e kaluara kriminale e Luka Beqirajt, 39-vjeçarit shqiptar që u ekzekutua me armë zjarri të martën në Orihuela Costa të Spanjës.
Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta spanjolle El Español, Beqiraj, i njohur edhe me nofkën “Kriols”, dyshohet se kishte lidhje me organizata kriminale italo-shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve të luftës.
Sipas medias spanjolle, Beqiraj ishte pjesë e një rrjeti kriminal që furnizonte me armë dhe municione grupe narkotrafikantësh në Itali. Emri i tij doli në skenë gjatë një operacioni të madh të autoriteteve italiane në vitin 2019, të koduar “Fiori di Primavera” (Lulet e Pranverës).
Operacioni, i zhvilluar nga Policia Financiare italiane pas dy vitesh hetime, përfundoi me 27 të arrestuar, mes tyre 21 shtetas shqiptarë. Në listën e të ndaluarve ishte edhe Luka Beqiraj, i cili akuzohej për përfshirje në aktivitetet e një organizate që merrej me trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.
Sipas hetimeve të cituara nga El Español, grupi kishte bazat kryesore në provincën e Leçes, ndërsa aktiviteti i tij shtrihej edhe në Kalabri, Toskanë, Siçili, Liguri, Lombardi dhe Emilia-Romagna.
Nga Vlora në rrjetet kriminale të Italisë
Luka Beqiraj kishte lindur në vitin 1987 në Vlorë. Sipas të dhënave të publikuara nga media spanjolle, problemet e tij me drejtësinë kishin nisur përpara përfshirjes së dyshuar në trafikun ndërkombëtar të armëve.
Në vitin 2016, ai ishte arrestuar në Shqipëri për një sulm të dhunshëm ndaj një personi, të cilin e kishte plagosur rëndë.
Tre vite më vonë, emri i tij u përfshi në hetimet e autoriteteve italiane kundër rrjetit italo-shqiptar të trafikut të drogës dhe armëve.
Ekzekutimi në Spanjë, dyshimet për larje hesapesh
39-vjeçari u qëllua për vdekje në një kompleks sportiv në zonën e Playa Flamenca, në Orihuela Costa. Autori i dyshuar e qëlloi në befasi dhe u largua menjëherë nga vendngjarja.
Guardia Civil vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa hetuesit nuk kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të jetë një larje hesapesh për borxhe të mundshme që Beqiraj mund të kishte nga e kaluara e tij kriminale.
Media spanjolle thekson se zona e Costa Blanca është kthyer prej vitesh në një pikë strehimi për persona të lidhur me organizata kriminale ndërkombëtare, për shkak të infrastrukturës së transportit, aeroporteve, porteve dhe fluksit të lartë turistik.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende motivin e ekzekutimit të shqiptarit dhe hetimet për ngjarjen vijojnë.
gijotina.com/
The post Kush ishte Luka Beqiraj? Mediat spanjolle zbulojnë lidhjet e dyshuara me mafian italo-shqiptare appeared first on GIJOTINA.