Ndërsa sterilizimi ofrohet tashmë nga Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, OSHIS, një auditim i fundit i KLSH, zbulon shifra të paguara jashtë parashikimeve të kontratës koncesionare 10-vjeçare.
Sipas analizës, koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale ka kushtuar 15.1 miliardë lekë gjatë periudhës 2016–2025, duke tejkaluar me 3.52 miliardë lekë, ose 30.4%, vlerën maksimale të planifikuar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se financimi i parashikuar për të gjithë periudhën dhjetëvjeçare të kontratës ishte ezauruar pothuajse dy vite përpara përfundimit të saj, ndërsa shërbimi ka vijuar të gjenerojë kosto shtesë për buxhetin.
Sipas raportit të auditimit mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2025, financimi i koncesionit për periudhën dhjetëvjeçare arriti në 15.11 miliardë lekë me TVSH, kundrejt 11.59 miliardë lekëve të parashikuara fillimisht.
Vetëm gjatë vitit 2025 janë financuar 1.89 miliardë lekë, ndërsa tavani vjetor prej 1.6 miliardë lekësh, i përcaktuar në ndryshimet kontraktuale të vitit 2020, nuk është respektuar në katër vite.
Nga të dhënat e auditimit rezulton se gjatë periudhës 2016–2025 janë kryer dhe paguar 564,718 ndërhyrje kirurgjikale, rreth 13% më shumë sesa parashikimi i planit të biznesit. Megjithatë, financimi ka rezultuar mbi 30% më i lartë se vlera fillestare.
Vetëm në vitin 2025 janë kryer 67,126 ndërhyrje, ose 34.3% më shumë se 50 mijë ndërhyrjet e parashikuara. KLSH shpjegon se rritja e kostos është ndikuar edhe nga shtimi i ndërhyrjeve me kompleksitet të lartë dhe të mesëm, por ky ndryshim nuk është shoqëruar me analiza periodike nga autoriteti kontraktor për ndikimin në koston e shërbimit.
2.5 miliardë lekë TVSH dhe kosto të tjera për buxhetin
Gjetja tjetër e rëndësishme e raportit lidhet me trajtimin e TVSH-së. Sipas KLSH-së, çmimet e shërbimit ishin përcaktuar pa TVSH, ndërsa koncesionari ka faturuar duke aplikuar tatimin mbi çmimin neto.
Për periudhën 2016–2025, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka financuar 2.52 miliardë lekë TVSH, të cilat auditimi i konsideron kosto shtesë, pasi shërbimi duhej të trajtohej si i përjashtuar nga ky tatim. Vetëm gjatë vitit 2025, kjo kosto ka arritur në 316.66 milionë lekë.
Por shpenzimet e shtetit nuk kufizohen vetëm te faturat e koncesionarit. KLSH ka konstatuar se institucionet publike kanë përballuar edhe kostot e energjisë elektrike dhe ujit, ndërsa ambientet spitalore janë vënë në dispozicion pa pagesë.
Këto shpenzime shtesë janë vlerësuar në rreth 4% të kostos së kontratës dhe nuk janë reflektuar plotësisht në analizën fillestare financiare dhe studimin e fizibilitetit.
Gjashtë vite pa monitorim, paqartësi për transferimin e aseteve
Auditimi konstaton gjithashtu mangësi të konsiderueshme në kontrollin e kontratës. Gjatë periudhës 2016–2021 nuk janë kryer monitorime dhe kontrolle të zbatimit të saj nga strukturat përgjegjëse, ndërsa monitorimet e nisura në vitin 2022 nuk kanë mbuluar plotësisht detyrimet kontraktuale.
KLSH ka konstatuar vonesa në shtrirjen e shërbimit në spitale, probleme me dokumentimin dhe gjurmueshmërinë elektronike të shërbimeve, si dhe mangësi në trajnimet e personelit spitalor.
Problemet marrin rëndësi të veçantë në prag të përfundimit të kontratës. Sipas raportit, nuk është kryer verifikimi i plotë i gjendjes teknike dhe funksionale të pajisjeve dhe infrastrukturës që duhet t’i transferohen shtetit.
Ndërkohë, qendra e trajtimit të mbetjeve spitalore ndodhet në pronë private dhe transporti i mbetjeve realizohet nga palë të treta, çka krijon vështirësi për marrjen në administrim të shërbimit nga institucionet publike.
The post U dhanë miliarda lekë shtesë për sterilizimin, KLSH: Gjashtë vite pa monitorim të kontratës appeared first on GIJOTINA.