Buxheti 2027/ SPAK kërkon psikologë për BKH: Hetuesit përballen me presione dhe kërcënime

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka kërkuar psikolog institucional për të mbështetur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për shkak të presioneve psikologjike, kërcënimeve dhe ngarkesës së lartë me të cilat përballen gjatë ushtrimit të detyrës. Kjo kërkesë u bë nga përfaqësuesit e SPAK, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Gjatë kësaj seance përfaqësuesit e SPAK prezantuan nevojat buxhetore për vitin 2027.

Drejtori i buxhetit në SPAK, Armand Shini deklaroi se psikologu institucional do të ofrojë mbështetje për stafin e BKH-së, por edhe do të ndihmojë në proceset hetimore. Më tej, ai shtoi se psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit e BKH, do të asistojë dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor.

“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit e BKH, do të asistojë dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, tha Shini.

Nga ana tjetër, prokurori Alfred Shehu bëri të ditur se investimet janë planifikuar brenda tavaneve buxhetore të përcaktuara. Sipas tij, fondi do të përdoret për mobilje zyre, pajisje për ambientet mbështetëse, kasaforta dhe grirëse letrash.

“Nevojat për investime janë planifikuar brenda tavaneve buxhetore. Investimet kryesore kanë të bëjnë me 15 milionë lekë për pajisje zyre, të lidhura me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re. Investimi përfshin mobilje zyre, pajisje për ambiente mbështetëse, kasaforta dhe grirëse letrash”, tha ndër të tjera Prokurori Shehu.

The post Buxheti 2027/ SPAK kërkon psikologë për BKH: Hetuesit përballen me presione dhe kërcënime appeared first on GIJOTINA.