Sali Berisha ka reaguar pas përplasjes së protestuesve dhe demokratëve në tubimin e së shtunës përpara Ministrisë së Arsimit.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, lideri i PD-së pretendoi se ata që krijuan incidente ishin të paguar nga qeveria dhe jo studentë.
Ai shtoi gjithashtu se PD do të vazhdojë të marrë pjesë në protestë.
“Siç e patë ju, asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente.
Unë mund të them ty, i kam dhe emrat e tyre. Dhe mund t’ua them, por vetëm për hir të asaj që s’po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente.
Në qoftë se e vutë re, pikërisht aty ku u krijuan ato dy-tre, ndodheshin si për çudi mediat e qeverisë që t’i filmonin.
Por ata edhe njëherë, nuk janë studentë. Ju i rishihni edhe njëherë videot. Janë persona që ka prej tyre dhe 40-50 vjeç, ka të tjerë 30-vjeçarë me radhë, kështu që s’kanë asgjë të përbashkët me studentët.
Por një gjë, në qoftë se ju quani studentë disa eksponentë që i morën shpirtin Flamingove, gaboni. Ata janë rrezik për çdo lëvizje. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë. Kështu që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën.
Kurse, ata që thonë se kjo protestë ishte e popullit, dje populli siç e patë ishte populli demokrat.
Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre.
Që kur ka filluar revolta studentore, e cila është thirrur dhe njëherë nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, thirrje të cilës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete, në shkolla të mesme dhe jashtë universiteteve u janë përgjigjur ndër të parët.
Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve nga policia, narkopolicia, nga proceset gjyqësore dhe të tjera.
Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore. Ndaj dhe ne jemi parti proteste. Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë. Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t’i mbështesim studentët”, tha ndër të tjera Berisha.
gijotina.com/
The post “Ata që krijuan incidentet ishin të paguar, jo studentë”/ Berisha reagon pas përzënies së demokratëve nga tubimi appeared first on GIJOTINA.