Hetimet pas arrestimit nga forcat speciale greke EKAM të 43-vjeçarit shqiptar Nikolin Pali, i dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e ish-partneres dhe të dashurit të saj në vitin 2020, në Loutraki të Greqisë, kanë marrë një tjetër drejtim.
Sipas mediave greke, ai dyshohet se ka pranuar edhe autorësinë e dy vrasjeve të tjera të kryera në Shqipëri përpara vitit 2002. Pas këtyre krimeve, ai ishte larguar drejt Greqisë për t’i shpëtuar ndëshkimit.
Ndërkohë, burimet ngrenë dyshime se Nikolin Pali mund të jetë në të vërtetë Fran Preldakaj, i njohur edhe si Zef Preldakaj, 44 vjeç, i dënuar më parë për vrasje në Shqipëri, dhe i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për veprën penale të tentativës së grabitjes në bashkëpunim.
Autoritetet shqiptare kishin publikuar edhe një njoftim kërkimi, ku bëhej me dije se personi në fjalë ishte dënuar me 22 vite burg për vrasje.
Sipas policisë greke, 43-vjeçari, i cili u arrestua në zonën e Patisias, në Athinë, qarkullonte me dokumente identifikimi të falsifikuara. Ai konsiderohet nga autoritetet si një person me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar edhe për përfshirje në vrasje me pagesë.
Policia greke po heton gjithashtu përfshirjen e tij në dy vrasje konkrete, të cilat dyshohet se kanë karakteristikat e ekzekutimeve me pagesë.
Ndaj tij ishin në fuqi gjashtë vendime dënimi për veprat penale të vrasjes me dashje në gjendje të qetë psikike, të kryer në mënyrë të përsëritur, grabitjes së përsëritur dhe shkatërrimit të pronës së tjetrit me zjarr.
Vrasja e dyfishtë në Loutraki
Vendimet e dënimit ndaj tij lidhen me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në natën mes 10 dhe 11 tetorit 2020, në një shtëpi pushimi në Loutraki të Korinthit.
Sipas hetimeve, Nikolin Pali dyshohet se ka vrarë me sëpatë ish-partneren e tij, me origjinë ukrainase, e njohur edhe me emrin grek Fotini dhe partnerin e saj të atëhershëm, një farmacist nga zona, Ioannis Zonitsas.
Pas krimit, ai dyshohet se u ka marrë viktimave para dhe bizhuteri. Më pas, ka transportuar automjetin e gruas në një zonë të izoluar dhe i ka vënë flakën, me qëllim zhdukjen e gjurmëve.
Sipas njoftimit të policisë greke, gjatë kontrollit në apartamentin ku qëndronte Nikolin Pali u gjetën dhe u sekuestruan:
Një pistoletë në ngjyrë argjendi, me dorezë druri;
Dy granata plotësisht funksionale;
Dy mekanizma ndezës për granatat;
Tre palë pranga metalike;
Një leje qëndrimi në emër të një personi tjetër, por me fotografinë e 43-vjeçarit.
Pali u arrestua gjithashtu për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve dhe personave të drejtësisë, falsifikim dokumentesh, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe të huajt.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, autoritetet greke komunikuan me homologët shqiptarë përmes departamentit të Interpolit. Nga ky komunikim rezultoi se ndaj tij ishte në fuqi edhe një njoftim ndërkombëtar kërkimi nga Shqipëria, për tentativë grabitjeje me armë në bashkëpunim.
Gjatë operacionit u arrestua edhe një 41-vjeçare e huaj, e dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për shkelje të legjislacionit për të huajt.
Policia greke bën me dije se i arrestuari ishte evidentuar edhe më parë për çështje që lidhen me narkotikët, grabitjet, shkeljet e ligjit për armët, Kodit Rrugor dhe legjislacionit për lojërat e fatit.
The post U arrestua për krimin e dyfishtë në Greqi, Nikolin Pali pranon edhe 2 vrasje në Shqipëri/ Detajet appeared first on GIJOTINA.