Përfaqësues të protestës kanë zhvilluar një takim me përfaqësinë e OSBE-së në Tiranë, ku kanë ngritur shqetësimet për mënyrën e trajtimit të protestuesve nga policia. Ata kanë denoncuar arrestime, shoqërime në komisariate, dhunë dhe gjoba të cilat i konsiderojnë abuzive.
Pas takimit, Erjon Murataj bëri të ditur se në takim morën pjesë qytetarë që janë bërë pjesë e protestës që prej ditës së parë. Sipas tij, përfaqësuesit i kanë përcjellë OSBE-së problematikat e hasura gjatë tubimeve, si dhe kërkesat për ndryshimin e sistemit elektoral dhe reformën territoriale.
“Kam ardhur me përfaqësues të cilët janë pjesë e protestës nga dita e parë. Kemi shprehur shqetësimet tona për dhunën e ushtruar nga organizata kriminale me emrin e policia shtetit. I shpalosëm problematikat e tjera me shoqërimet në komisariate. Pikë tjetër shumë e diskutuar ishte dhe kërkesat e ditës 1, ndryshimi i sistemit, reformave territoriale. Ndamë shqetësime dhe të karakterit politik dhe mendoj se ka ardhur moment që shqetësimet të ngrihen në komunitetet ndërkombëtare. Shurdhëria që ka treguar Edi Rama po përgjithësisht klasa politike duke kërkuar të përfitojë nga protesta na detyron që tashmë të ejmi në çdo seli ndërkonëvgate për të dhënë zë. Kërkojmë ndryshim për një Shqipëri europiane që mbështet proceset integruese me dinjitet dhe jo me kulisa”, tha Murataj.
Nga ana tjetër, Ilir Xhemalaj bëri të qartë se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është një nga pesë kërkesat kryesore të protestës dhe se për këtë çështje protestuesit nuk kanë ndërmend të bëjnë kompromis.
“Pika kryesore e këtij diskutimi ishin 5 pika dhe pika kryesore është dorëheqja e kryeministrit Rama. Mbi këtë pikë ne nuk tolerojmë dhe nuk kemi asnjë lëshim”, u shpreh Xhemalaj.
Shqetësimet për trajtimin e protestuesve u ngritën edhe nga Asim Prengzaj, i cili kërkoi që autoritetet shqiptare të zbatojnë standardet europiane për të drejtën e protestës. Ai denoncoi ndalimin e të rinjve dhe fëmijëve në komisariate, si dhe vendosjen e gjobave ndaj pjesëmarrësve në tubime.
“Kërkuam gjatë takimit që për sa kohë ne po aderojmë për tu bërë anëtarë të BE të përdorin të njëjtën standarde për protesta. E pafalshme dje kur ishte progres raporti europian, fëmijët tanë ndalohen çohen në komisariate dhe vihen gjoba abuzive se kanë marrë pjesë në protestë”, theksoi ai.
Ndërkohë, Laura Kërtalli u ndal te rëndësia e vijimit të organizimit dhe protestave në shesh, duke theksuar se përballja politike duhet të shoqërohet edhe me kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit ndërkombëtarë.
“U shqyrtuan aspekte të ndryshme të protestës dhe u vu në vëmendje se duhen ndjekur të gjitha mënyrat e organizimit të protestuesve. Përballja me Edi Ramën nga sheshi dhe ndihma për takimeve ndërkombëtare si e sotmja por edhe në vijim”, tha Kërtalli
gijotina.com/
The post Protestuesit takojnë përfaqësuesit e OSBE-së në Tiranë, denoncojnë dhunën policore dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës appeared first on GIJOTINA.