Komisioni Europian evidenton një sërë problematikash në sistemin shëndetësor shqiptar, duke vënë në dukje kostot e larta që përballojnë qytetarët, financimin e pamjaftueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe mungesën e barnave e pajisjeve mjekësore në spitale.
Në Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, KE thekson se pagesat që qytetarët kryejnë drejtpërdrejt nga xhepi për shërbimet shëndetësore arritën në 48.27% të shpenzimeve totale në vitin 2023. Kjo shifër është më shumë se tri herë mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila llogaritet në rreth 15%.
“Sa i përket mbrojtjes financiare, shpenzimet shëndetësore të paguara drejtpërdrejt nga qytetarët mbetën në një nivel kritikisht të lartë prej 48.27% (2023), krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 15%”, thuhet në raportin e Komisionit Europian.
Dokumenti ndalet edhe te financimi publik i sektorit. Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2025 shpenzimet publike për shëndetësinë përbënin rreth 2.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 9.6% të totalit të shpenzimeve publike. Pavarësisht rritjes së shumave në vlerë absolute, pesha që zë shëndetësia në financat publike ka pësuar rënie.
Një tjetër shqetësim lidhet me kujdesin shëndetësor parësor. Komisioni Europian konstaton se ky sektor vijon të vuajë mungesën e financimit, pasi shpenzimet gjatë vitit 2025 rezultuan rreth 28% më të ulëta se fondet e parashikuara.
Mungesë barnash dhe pajisjesh mjekësore
Në raport evidentohen gjithashtu vështirësitë që lidhen me furnizimin e spitaleve me barna thelbësore dhe pajisje mjekësore. Sipas KE-së, kjo mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor shqiptar. Komisioni Europian vlerëson se nevojitet një rishikim i politikave për përcaktimin e çmimeve të barnave, rimbursimin dhe mbulimin e nevojave të pacientëve.
“Mungesa e barnave thelbësore në spitale dhe e pajisjeve mjekësore mbetet një sfidë kritike. Vendi duhet të zhvillojë dhe të zbatojë politika dhe modele të reja për çmimet, rimbursimin dhe mbulimin me barna”, theksohet në raport.
Plakja e popullsisë dhe problematikat e digjitalizimit
Progres-Raporti trajton edhe ndryshimet demografike në vend, duke nënvizuar se popullsia shqiptare po plaket si pasojë e rënies së lindshmërisë, rritjes së jetëgjatësisë dhe emigracionit. Këto zhvillime pritet të shtojnë nevojat për shërbime shëndetësore dhe të vënë më shumë presion mbi financimin e sektorit.
Sa i përket digjitalizimit, KE vëren se Shqipëria ka krijuar një sistem elektronik për mbledhjen dhe raportimin e të dhënave nga kartelat mjekësore. Megjithatë, ende mungon një kuadër ligjor i posaçëm për administrimin e kartelave elektronike, ndërsa shërbimet e shëndetësisë digjitale mbeten të fragmentuara.
gijotina.com/
The post “Mungojnë barnat në spitale”/ KE: Qytetarët paguajnë nga xhepi mbi 48% të shpenzimeve appeared first on GIJOTINA.